Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka vijuar takimet e tij në qytetin e Fushë-Krujës ku ka bashkëbiseduar me banorë e simpatizantë të partisë që drejton.
Ne lidhje me vizitën në Fushë-Krujë Mediu ka deklaruar se është shumë e veçantë pasi këtu ka qenë dhe presidenti George Bush.
Me tej Mediu ka theksuar se në këto vite Shqipëria ka përjetuar momente historike. Gjatë fjalës së tij kryetari i PR-së është ndalur tek zgjedhjet duke shtuar se vota e 28 qershorit për koalicionin e djathtë do të mundësojë ecjen e mëtejshme drejt reformave.
Fatmir Mediu: “Se lëvizja pa viza drejt BE-së nuk është thjesht liria që kemi kërkuar, por është dhe pjesë e dashurisë, e ëndrrës sonë. Është padyshim bashkimi i familjeve, është mirënjohje karshi të gjitha atyre emigrantëve të cilët çdo ditë e çdo orë kanë punuar jo vetëm për vetën e tyre, por edhe për prindërit, motrat dhe vëllezërit që i kanë lënë në Fushë-Krujë e anë e mbanë Shqipërisë, duke na mbështetur në momente të vështira. Pra është një moment mirënjohje dhe respekti karshi tyre.”
Në fund Fatmir Mediu ka deklaruar se PR do të vazhdojë të jetë përfaqësuese e ish-pronarëve pasi çështja e pronave është një pikë kyçe për rrugën drejt BE-së./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi