Turi elektoral i kreut republikan Fatmir Mediu ka vijuar në një takim me mbështetës të kësaj force politike në qytetin e Kuçovës. I shoqëruar dhe nga kandidati për deputet në qarkun e Beratit Astrit Veliajn kryerepublikani u ndal tek rëndësia e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Fatmir Mediu: “Votoni numrin 16, votoni Partinë Republikane. Në vitin 2005 ne bashkuam shqiptarët, i bashkuam shqiptarët në rrugën tonë të ndryshimit. I bashkuam shqiptarët në realizimin e qëllimeve tona të mëdha. Të gjithë së bashku me plot gojën të themi që jemi krenarë që jemi shqiptar sepse Zoti na ka vendosur në këtë vend të mrekullueshëm, sepse historia e të parëve tanë është histori e Europës, sepse tradita jonë është traditë e Europës, sepse e ardhmja jonë nuk mund të jetë ndryshe përveçse një e ardhme europiane.”
Më tej Mediu zhvilloi një tjetër takim në qytetin e Vlorës, duke i ftuar qytetarët të votojnë numrin 16 kryerepublikani siguroi të pranishmit se gjatë mandatit të dytë Shqipëria do të arrijë standarde të larta falë reformave që do të ndërmerren në çdo sektor. Të gjithë bashkë ne do të ecim në këtë rrugë pa kthim pas, një rrugë e cila na çon vetëm në një drejtim, Bashkimin Europian, përfundoi fjalën e tij numri një i republikanëve./tvklan.al