Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka prezantuar në një takim me simpatizantë të kësaj partie në qytetin e Pogradecit kandidatët për deputetë në qarkun e Korçës. Gjatë fjalës së tij ai nënvizoi se mazhoranca në këto katër vite ka arritur progres në fusha të ndryshme si në ekonomi, infrastrukturë si dhe anëtarësimi me të drejta të plota i vendit tonë në NATO.

Fatmir Mediu: “Jemi krenarë se rruga jonë nuk ka më kthim mbrapa, rruga jonë është vetëm një Shqipëria në NATO, Shqipëria në BE. Nuk ka emocion më të madh për çdo qytetar pavarësisht nga mosha, pavarësisht nga bindja politike, pavarësisht nga përkatësia fetare, pavarësisht se ku është, në fshat apo në qytet. Kur dëgjon presidentin e SHBA-së Barack Obama të thotë që jemi krenarë për shqiptarët.”

Kryerepublikani Mediu theksoi se forca politike që ai drejton vazhdon të ketë në themel të programit të saj politik, pronën. Sipas tij, Partia Republikane ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë  e ndjeshme ndaj kërkesave të ish-pronarëve. Këto zgjedhje do të jenë të lira dhe transparente tha Mediu duke patur besimin se shqiptarët do t`i japin kësaj mazhorance një mandat të dytë qeverisës./tvklan.al