Në prag të fushatës zgjedhore për betejën elektorate të vitit 2009 kryetari i PS Edi Rama e ka cilësuar si mjaft të rëndësishme pjesëmarrjen e grave në politikë-bërje dhe vendimmarrje.
I ftuar në një forum me gra dhe vajza pedagoge në qytetin e Durrësit, Rama ka deklaruar se vetëm një shoqëri e balancuar mund të përballojë sfidat e së ardhmes.
Edi Rama: “Jemi akoma në kohë për të gjetur përgjigjet e duhura për këto pikëpyetje gjithmonë e më të mëdha, që rëndojnë mbi shoqërinë tonë, e cila po i lejon vetes mbylljen në shtëpi të vajzave në moshën e arsimit të mesëm në mënyrë masive. Po i lejon vetes fenomene të tjera që lidhen me gratë dhe vajzat që janë të pa tolerueshme për një shoqëri europiane.”
Kreu socialist theksoi ndër të tjera se PS do të synojë që në Kuvend të jetë e përfaqësuar nga 30% gra dhe vajza.
Edi Rama: “Forcat politike, PS e para duhet të angazhohen që kuota për gratë dhe vajzat në listat e deputetëve të mos jetë hipokrizi dhe që ligji të mos lejojë që në të njëjtën kohë që e kërkon, jep mundësinë dhe për ta anashkaluar me një masë penalizuese qesharake.”
Duke e stigmatizuar turin “Gratë për gratë” të kryeparlamentares Topalli. Rama u shpreh se më të rëndësishme se deklaratat për pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në jetën shoqërore, është përfshirja e tyre në të gjitha nivelet e administratës publike./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi