Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është cilësuar si një ditë historike nga kreu i opozitës Edi Rama. Në një konferencë për shtyp kryesocialisti e ka quajtur këtë si një arritje shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët.
Edi Rama: “Qysh dje Shqipëria është edhe dejure anëtare e NATO-s. Është dita për të celebruar shpirtin e lirisë dhe pasionin demokratik të shqiptarëve dhe shqiptareve që janë realizuesit e kësaj ëndrre të madhe dhe për tu thënë të gjithëve socialistëve, demokratëve apo atyre pa parti. Pa dallim moshe, krahine, gjinie, feje e … se Shqipëria hyri në NATO falë jush dhe jo falë politikanëve të saj.”
Rama ka falënderuar edhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e vështire të integrimit. Nga ana tjetër kryesocialisti u është kundërpërgjigjur edhe akuzave të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, se nuk ka përshëndetur votimin unanim në parlament të paketës ligjore për anëtarësimin në NATO.
Edi Rama: “Më lejoni që tu shpreh sot falënderimet me të sinqerta, miqve e partnerëve tanë, qeverive e shteteve anëtare, parlamenteve të tyre, por edhe popujve të tyre për besimin me të cilin na e hapën derën e shpisë.”/tvklan.al