Turi elektoral i Partisë Socialiste ka vijuar në qytetin e Durrësit, ku kryetari i selisë rozë Edi Rama ka prezantuar dhe kandidatët për deputetë që do të garojnë më 28 qershor në këtë qark.
Gjatë takimit me banorë të qytetit bregdetar, kryesocialisti i ka siguruar ata se ndarja me politikën e vjetër të fyerjes dhe përbaltjes i ka ditët e numëruara dhe pas fitores në zgjedhje për të gjithë shqiptarët do të nisë një kapitull i ri.
Duke e cilësuar kryeministrin Berisha si kryeplakun e politikës, Rama tha se atij ndryshe nga kundërshtari demokrat, i intereson kthimi i qeverisë në instrument të shqiptarëve dhe jo prishja e kontratës si kryetari i bashkisë me qytetarët e Tiranës.
Edi Rama: “Sali Berisha më bën thirrje mua që të bëj trimërinë për ta futur emrin të parin në listën e deputetëve dhe ti braktis qytetarët e Tiranës. Por unë i them kryeplakut të politikës së vjetër së karrigia e deputetit mund t’i duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur, por një mandat për të qenë në këmbë, në krye të transformimit të madh, në çdo qytet dhe në çdo fshat ku do ta çoj qeverinë e këtij vendi pas 28 qershorit, ku do të punoj bashkë me njerëzit për të realizuar programin që shkruam së bashku gjatë dialogut me Shqipërinë, ku do të ndërtojmë të gjithë së bashku Shqipërinë e re si gjithë Europa.”
Sipas Ramës e vetmja zgjedhje për vendin është alternativa e majtë që ofron programi qeverisës i socialistëve, që synon të hapë një faqe të re në historinë e arsimit dhe shëndetësisë.
Edi Rama: “Edhe 27 ditë për tu dhënë mësuesve e mjekëve shtetin në krah dhe për të shkruar bashkë me ta një faqe të re, në historinë e arsimit dhe të shëndetësisë shqiptare. Edhe 27 ditë për tu dhënë sipërmarrësve lirinë që u mungon dhe piedestalin që u takon njësoj si artistëve dhe si sportistëve sepse kjo është bota e sipërmarrjes dhe në këtë botë sipërmarrësit nuk mund të persekutohen me xhandar të dera, as me paga reference.”
Duke i ftuar qytetarët e Durrësit të votojnë alternativën e “Politikës së re për ndryshim” Rama tha se ka ardhur koha që shqiptarët të ndahen nga pazaret e politikës së vjetër dhe interesave personale të oborreve familjare e klanore.
Edi Rama: “I keni provuar të gjithë ata kryeministra e ish-kryeministra që sot ju kërkojmë përsëri votën për t’iu drejtuar dhe që as dinë, as munden dhe as duan të bëjnë ndonjë më shumë sesa kanë bërë në këto 18 vjet. Ata nuk mund t’iu udhëheqin në rrugën e ndryshimit që ju duhet, por mundet vetëm ta humbasin edhe 4 vjet të tjera e të oborreve të tyre familjare dhe klanore.”
I bindur në fitoren e së majtës Rama tha, se tashmë Partia Socialiste është gati për të hapur një faqe të re në historinë e këtij vendi, që sipas tij ka kapërcyer kufijtë e vjetër të partive dhe ka krijuar hapësirë për çdo shqiptar që kërkon zë në qeverisjen e re të pas 28 qershorit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro