Mazhoranca ka përshëndetur njëzëri rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pak minuta pas miratimit të saj. Nga foltorja e Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli ritheksoi qëndrimin e shprehur në rezolutën e përpiluar nga përfaqësuesit e grupit monitorues të KE-së, Jako Lakso dhe Devid Uilshire, ku i bëhet thirrje opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në parlament.
Jozefina Topalli: “Më lejoni t’iu përshëndes në emrin tuaj këtë rezolutë. Është një rezolutë e cila përmban brenda vetes thirrjen e opozitës për të stopuar bojkotin e parlamentit në të gjitha diskutimet e kësaj seance plenare të Këshillit të Europës duke filluar nga e majta më ekstreme duke vazhduar te socialist, social-demokrat të qendrës së djathtë dhe të djathtë ekstreme që të gjithë i kërkuan liderit të PS-së që të ndalin bojkotin sepse bojkoti nuk është mënyra me të cilën mendon Europa se bojkoti nuk është mënyra me të cilën punon Europa dhe përveç kësaj dua të falënderoj dy reporterët që vetë bënë pushimet më të rëndësishme në këtë rezolutë. E në mënyrë të veçantë pranimin e disa amendamenteve më thelbësore që ishin paraqitur.”
Për ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, rezoluta e KE-së ndonëse i njeh opozitës të drejtën e një hetimi parlamentar, në njërin prej amendamenteve të saj theksoi ajo, specifikon qartazi se ngritja e tij nuk mund të bëhet duke ndërhyrë në vendimin e gjyqësorit. Andaj tha ajo Rama nuk mund ta shohë KE si këshillin bashkiak të kryeqytetit.
Majlinda Bregu: “ Opozita ka të drejtë të hetojë mbi çdo gjë, por sigurisht brenda ligjeve të kushtetutës së vendit dhe që opozita nuk ka të drejtë të hetojë mbi gjithçka dhe sigurisht mbi asgjë jashtë ligjeve të kushtetutës së vendit. Ky ishte amendamenti më i rëndësishëm i cili sapo u votua në asamblenë parlamentare të KE-së. Edi Rama e konsideron KE-në si këshillin bashkiak ku mund të përjashtojë dhe të afrojë kë të dojë ai. Komisionin e mandateve si KRRT-n e bashkisë që i jep leje kujtdo ai, asamblenë parlamentare të KE-së si asamblenë e PS-së që duhet të dëgjojë çfarë thotë ai. Në të vërtetë perëndimi ka vlera dhe standarde pikërisht sepse secili është në vendin e vet dhe institucionet funksionojnë mbi bazën e pjesëmarrjes dhe respektit të ndërsjellë dhe jo përmes bojkotit dhe përjashtimit.”
Projektrezoluta e miratuar nga asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës i fton palët të ulen në tryezën e bisedimeve dhe ngarkon presidentin Bamir Topi që të bashkëpunojë me delegacionin europian në ndërmjetësimin për zgjidhjen e krizës politike në vend./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro