Bojkoti është çështja kryesore që është diskutuar dhe në gjirin e sesionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Shumica dërrmuese e kësaj organizate dënon bojkotin e socialistëve shqiptarë.

Renato Farina, përfaqësuesi i grupit të Partisë Popullore Evropiane, i cili prezanton qëndrimin e grupit për Shqipërinë , është shprehur për Tv Klan, se tensioni i krijuar nga opozita shqiptare është një tension artificial i shkaktuar nga Partia Socialiste dhe se Edi Rama me sjelljen e tij po përcjell një imazh negativ të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Renato Farina: “Ne kemi një gjykim shumë negativ për sjelljen e Edi Ramës dhe partisë së tij, pasi për ne zgjedhjet kanë qenë të rregullta, ashtu siç është dokumentuar edhe nga monitorimi i  Këshillit të Evropës dhe OSBE. Përveç kësaj, dihet që një protestë civile nuk ushtrohet kurrë duke jo legjitimuar institucionet demokratike. Mund të bëhen protesta, mund të kërkohet edhe komision hetimor mbi zgjedhjet, por kurrë duke braktisur një organ nga i cili varet jeta demokratike e një populli, pasi kjo është një tradhti e popullit.”

Farina ka qenë në Shqipëri si pjesë e delegacionit të Këshillit të Europës që ka monitoruar procesin para dhe pas zgjedhor dhe mohon se në zgjedhjet e 28 qershorit ka patur cenim të standardeve.

Renato Farina: “Unë kam parë se midis qytetarëve shqiptarë nuk ka asnjë tension. Ky tension është artificial dhe është krijuar nga Partia Socialiste. Zgjedhjet siç i pamë të gjithë ishin të rregullta. Pastaj isha dhe në dhjetor, ku ishin manifestimet e Edi Ramës, që ishte një dështim krahasuar me mitingun e Berishës për festën e demokracisë, me gjysëm milion persona.”

Farina deklaron se bojkoti i PS-së dënohet një zëri nga të gjithë europarlamentarët./tvklan.al