Zyra e eurodeputetes Doris Pack, përmes një komunikate për shtyp ka sqaruar se zëvendës presidenti i PE-së, Libor Roucek, i ka shprehur zonjës Pack keqardhje për keqinterpretimin e deklaratës së tij.

Këtë sqarim zonja Pack e dha pas një komunikimi që pati paradite me zotin Roucek.

Zyra e eurodeputetes sqaron se PE-ja ka dhënë një përgjigje shumë të qartë me votën e tij mbi situatën në Shqipëri, kur adaptoi raportin mbi strategjinë e zgjerimit të BE-së më 26 Nëntor të vitit 2009.

Neni 27 i këtij raporti njeh progresin e bërë nga Shqipëria ne veçanti në lëshimin e kartave të ID dhe përmirësimet në administrimin e zgjedhjeve, siç dëshmuan edhe votimet e fundit parlamentare.

Në këtë nen i bëhet thirrje opozitës ti japë fund bojkotit të Parlamentit e të kryej detyrën e saj në Parlament, duke përfaqësuar votuesit e saj dhe fton atë dhe qeverinë që të gjejë një kompromis.

Konform me këtë rezolutë dhe  duke reflektuar mazhorancën në PE, eurodeputetja Pack thotë se zoti Roucek i ka kërkuar zotit Rama t’i japë fund bojkotit të parlamentit dhe i ka bërë më dije se nuk i takon qeverisë ti hapë kutitë e votimit, por gjykatës.

Ndaj sipas tij çdo ankesë e zotit Rama lidhur më përmbajtjen e kutive të votimit, duhet tu drejtohet gjykatave përkatëse.

Zonja Pack ka sqaruar gjithashtu se meqë vetë vëzhguesit socialist në zgjedhjet e Qershorit nuk patën apo ngritën asnjë kundërshtim lidhur me numërimin e votave, zoti Rama dhe kolegët e tij këshillohen që të bëjnë atë që PE u ka kërkuar të bëjnë edhe vitin e shkuar. Pra të kthehen në parlament e të fillojnë punën në interes dhe përfitim të qytetarëve shqiptar.

Veprimet e socialistëve po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, e si pasojë vënë në rrezik procesin e liberalizimit të vizave përfundon komunikata për shtyp e eurodeputetes Pack.

Edhe kryetari i grupit të deputetëve italian të koalicionit “Populli i Lirisë” në PE, Mario Mauro, ka sqaruar se nuk i takon qeverisë shqiptare të vendosë nëse do të hapen apo jo kutitë e votimit, por gjyqësorit. Në këtë kontekst ai thotë se kërkesat e zotit Rama në lidhje me këtë rezultat duhet ti drejtohen gjykatës.

Në emër të të gjithë delegacionit të PDL-s në PE, më duhet të shtoj thotë Mauro se të njëjtit përfaqësues të listës socialiste gjatë zgjedhjeve të 28 Qershorit të vitit 2009 nuk kanë ngritur kundërshtime në lidhje me numërimin e votave dhe do të ishte mirë që zoti Rama dhe kolegët e tij të bënin atë që PE ka kërkuar që vjet.

Domethënë të kthehen në Parlament dhe të fillojnë punën për të mirën e popullit shqiptar përfundon deklarata e kryetarit të grupit të PDL-s në PE./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle