Ndonëse qëndrimi i ndërkombëtarëve ishte i prerë në projektrezolutën e miratuar nga Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Europës, ku i kërkohej opozitës t’i jepte fund bojkotit, kryetari i PS-së, Edi Rama në një konferencë për shtyp ka deklaruar se do të vijojë me bojkotin dhe protestat në rrugë.

I palëkundur nga qëndrimi i tij kryesocialisti Rama deklaroi se pavarësisht kësaj mirëpret mbështetjen e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës që sipas tij fshihet në kutitë e 28 qershorit.

Edi Rama: “Rezoluta e Këshillit të Europës e miratuar pak orë më parë është e qartë. Shqipëria është në krizë politike, kriza për ne është brenda  në kutitë e votimit. Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës, por ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza. Mirëpresim njëkohësisht përfshirjen e miqve partner ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës siç thotë edhe rezoluta. Beteja jonë për demokraci vazhdon sot edhe më më shumë bindje e forcë se dje.”

Por  kreu i socialistëve ashtu siç është bërë tashmë traditë në selinë rozë injoroi sërish ti përgjigjet interesit të gazetarëve, duke lënë pa përgjigje shumë pyetje, heshtje, që mesa duket gjeti zgjidhje vetëm në projektrezolutën e KE-së, që në mënyrë të drejtpërdrejtë i bën thirrje opozitës që të heqë dora nga rruga e bojkotit./tvklan.al