Kryetari i Partisë Socialiste ka dalë sërish publikisht, për të deklaruar se projektligji i ofruar nga mazhoranca për pastërtinë e figurës së zyrtarëve është antikushtetues.  Rama i ka shtuar këtij deklarimi dhe komentet e diplomateve të huaj, ambasadorit amerikan dhe kreut të OSBE-së të cilët gjithashtu kanë konstatuar shkelje të ligjit themelor dhe mungesë të konsultimit me institucionet ndërkombëtare.

Edi Rama: “Opozita shqiptare, qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe OSBE-ja mbrojnë praktikisht të njëjtin mendim në kundërvënien ndaj projektit të pa pranueshëm të Sali Berishës. Ky është një projekt antikushtetues, kambanat bien përsëri për Sali Berishën”.

Rama akuzoi kryeministrin se po kërkon të fshehë dosje korruptive, duke ofruar për votim një variant antikushtetues për zbardhjen e dosjeve të bashkëpunëtoreve të komunizmit.

Edi Rama: “Ai duhet t’u japë llogari të përndjekurve që i qan me fjalë e i tallë, e i nëpërkëmb me vepra se ku kanë shkuar 16 milion dollarët që ai ka miratuar në parlament në 3 vite për dëmshpërblimin e tyre. Duke falënderuar qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe OSBE-në për ndihmën e pa çmuar që ofruan edhe në këtë rast, përsëris se PS do hapjen e dosjeve e të gjitha dosjeve”.

Rama garantoi për gatishmërinë e partisë që drejton për tu ulur në tryezë të bisedimeve.  Një tryezë që do të përfshinte të gjithë aktorët e interesuar edhe organizmat ndërkombëtar, në funksion të hartimit të një ligji që sikurse tha kryesocialisti garanton realisht shlyerjen e këtij detyrimi të madh shoqëror, jo vetëm ndaj së shkuarës por edhe së ardhmes./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Metlin Kepi