Detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Tiranë ku efektivi i policisë Erjon Goxhara plagosi me armë zjarri inxhinierin e ERE, Lorenc Kosta. Në materialin hetimor të Policisë së Tiranës, të siguruar nga gazetari i Klan News Besar Bajraktari, që është dërguar në Prokurori evidentohet një takim mes efektivit të policisë, bashkëshortes së tij dhe nipit të policit.

Takimi ka ndodhur mëngjesin e 19 Gushtit, ditën kur ka ndodhur ngjarja, në një qendër tregtare në periferi të Tiranës ku është shoqëruar me tensione dhe debate.

Në dosje thuhet se në momentin kur ka përfunduar ky takim, bashkëshortja e Goxharas ka goditur veten me grushte, ndërsa kjo e fundit nuk pranonte të kërkonte falje.

Në deklarimet e dhëna para Oficerëve të Policisë Gjyqësore në prezencë të psikologut, djali i mitur i çiftit bashkëshortor, konfirmon konfliktet mes prindërve të tij që nga mesi i Korrikut, kohë kur sipas tij, e ëma pranon dyshimet e Goxharës për lidhjen jashtë martesore me Kostën, për të cilën thotë se ka ndodhur vetëm një herë.

Polici i ka kërkuar të shoqes që të kërkonte ndjesë, por që kjo e fundit nuk ka pranuar. Të njëjtën ditë, Goxhara pasi mbaroi takimin në qendrën tregtare shkoi në shtëpinë e tij dhe ka organizuar ngjarjen.

Sipas grupit hetimor, efektivi i policisë e ka mbajtur në vëzhgim 45-vjeçarin Kosta dhe deri në këtë fazë hetimi, ka dyshime se nuk ka patur qëllim ta vrasë.

Pas plagosjes, Goxhara telefonoi djalin ku e preti te rrethrrotullimi i Shkozës. Policia e lokalizoi dhe arriti të ndalojë vetëm djalin e mitur por jo efektivin.

Ky i fundit vijon të jetë në arrati. Ndërsa i plagosuri Lorenc Kosta vijon të jetë në spital në gjendje stabël.

/tvklan.al