Pasiguritë në bursa në vazhdën e krizës ekonomike shtohen dita ditës. Si pasojë, çmimi i naftës në kryeqendrën financiare të New Yorkut kapi gjysmën e maksimumit të vitit të kaluar duke rënë poshtë 60 dollarëshit për fuçi.
Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për herë të parë, iu desh të merrte hua më shumë se një trilion dollarë brenda një viti . Ky vendim u mor për të financuar deficitin tepër të lartë të buxhetit.
Aktualisht gjithnjë e më shumë amerikanë kanë mbetur jashtë pune, pagesat e taksave janë ulur ndërsa shpenzimet për papunësinë janë rritur.
Të gjitha këto shqetësime reflektohen ndjeshëm në rënien e çmimit të naftës. Ari i zi pati një rritje me 40% nga Marsi deri në Qershor, ndërsa tani analistët parashikojnë që çmimi duhet të kthehet në vlerën 55 dollarë për fuçi dhe të qëndrojë në këtë shifër derisa të ketë tregues më të mirë për rimëkëmbjen e ekonomisë globale.
Me gjithë optimizmin nga organizata OECD, ka ende shumë sinjale kontradiktore lidhur me gjendjen e ekonomisë globale dhe perspektivën e një rimëkëmbjeje afatgjatë./tvklan.al