Bankat greke që operojnë në Shqipëri janë të sigurta, garanton guvernatori Ardian Fullani.

Duke komentuar mbi krizën ekonomiko-financiare që po përjeton shtetin helen, Banka e Shqipërisë vlerëson se efektet negative që mund të përcillen mbi ekonominë shqiptare nuk përbejnë rrezik për stabilitetin e sistemit bankar.

Një sinjal pozitiv në këtë drejtim sipas guvernatorit është edhe ecuria në kahun rritës të depozitave muajt e fundit.

Ardian Fullani: “Banka e Shqipërisë garanton publikun shqiptar që bankat greke janë entitete shqiptare të cilët janë të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë. Konfirmon që bankat garantojnë plotësisht mbarëvajtjen e tyre në sistemin bankar dhe garantojnë plotësisht efektivitetin e tyre me kapitalin likuiditetin dhe njëkohësisht produktet e tyre në tregun bankar shqiptar.”

Guvernatori Fullani u shpreh se stabiliteti që gëzon ekonomia vendase i jep mundësinë të përballojë pa problem efektet e mundshme nga zhvillimet në shtetin fqinj.

Deklaratat u bënë gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ardian Fullani: “Analiza tregon për një ngushtim vjetor të deficitit tregtar me rreth 17% gjatë muajit Dhjetor. Ecuria e eksporteve të mallrave gjatë këtij muaji shfaqi rritje prej 27% terma vjetor, ndërkohë që importet kanë shënuar rënie për 10%.”

Me gjithë nën çmimin e monedhës vendase, rreth 8% muajin e kaluar në terma vjetore, Banka e Shqipërisë parashikon një situatë më të stabilizuar gjatë vitit 2010./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro