Fjorald Zguro: “Zoti Santixis, ecuria e ekonomisë greke është çështja e ditës jo vetëm në Greqi por në mbarë Bashkimin Evropian. Çfarë po ndodh me financat dhe ekonominë greke?

Dimitris Santixis: “Ekonomia greke nuk është në kushtet në të cilat e pasqyrojnë mediat. Problemet në ekonominë greke janë shumë të ngjashme me ato të vendeve si Portugalia apo Spanja, ndoshta më pak problematike. Por këto probleme në përgjithësi kanë të bëjnë me shtetin. Kjo sepse shteti grek prej vitesh nuk ka mundur të mbledhë të ardhurat e duhura. Ndaj këto kohë po kryen mjaft ndryshime strukturore për sjelljen e buxhetit të shtetit në pozicionin e duhur.”

Fjorald Zguro: “ Si mund të ndikojë kriza greke në Shqipëri? Duke qenë vende fqinje problemet ekonomike të shtetit Helen mund të përcillen edhe tek ne, siç mund të ishin të ardhurat nga emigrantët apo sistemi bankar.”

Dimitris Santixis: “Sigurisht remitancat për vitin 2009 ishin më të ulëta, kjo është normale duke pasur parasysh emigrantët shqiptarë në Greqi, por edhe në Itali. Kjo është shumë normale e si pasojë ka prekur edhe ekonominë dhe sektorin e ndërtimit. Por kjo është një çështje e të ardhmes që mbetet për tu parë, ndoshta 2010, ose dhe më tej 2011 kur gjërat priten të shkojnë serish për mirë, kur edhe ekonomia greke të jetë më e fortë dhe të përmirësohet.” 

Fjorald Zguro: “ Si është gjendja e bankave greke që operojnë në Shqipëri?

Dimitris Santixis: “Sistemi bankar në Greqi është sektori më i shëndetshëm i ekonomisë. Bankat greke nuk janë përballur me të njëjtat probleme si bankat në SHBA, apo në Britaninë e Madhe, ku u shtetëzuan sepse patën telashe me produktet e çuditshme që blenin dhe shisnin. Ndërkohë bankat greke kanë pasur një influencë të shkaktuar nga kriza botërore, por ato janë të shëndetshme, fitimprurëse dhe të forta në treg. Në Shqipëri, Tirana Bank është përfaqësuese e grupit bankar të Pireut. Ne jemi një bankë e fuqishme, ne nuk e kemi ndryshuar kurrë strategjinë tonë për zgjerim edhe në kohë të vështira. Edhe gjatë krizës ne nuk e ndaluam kreditimin. Ne nuk i kemi sforcuar kurrë biznesmenët shqiptare që të likuidojnë paratë e tyre që të mund ti çojmë këto para në Greqi. 100 milion euro janë dhënë për ekonominë shqiptare nga Greqia dhe kjo gjë nuk ka ndryshuar. Përkundrazi ne duam të ndihmojmë ekonominë shqiptare nëpërmjet kreditimit, në mënyrë që ajo të ecë para. Të mos harrojmë se 95% e biznesit të Tirana Bank është me biznesin dhe popullsinë vendase dhe jo me atë greke.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro