Ky është Abdulrahman Aziz Al Raxhi, një biznesmen saudit të cilit i ka mjaftuar një ditë qëndrimi në Tiranë për të vendosur të investojë në Shqipëri.
Shkëndijën për të çelur biznes edhe në vendin tone Al Raxhi, i cili drejton një prej fondeve kryesore të investimit në Arabinë Saudite, thotë se e ka marrë gjatë konferencës së investimeve të mbajtur disa ditë më parë në Tiranë.
Në një interviste për Televizionin Klan biznesmeni saudit reshton disa nga arsyet që e shtynë atë të ndërmarrë këtë sipërmarrje në Shqipëri.
Abdulrahman Aziz Al Raxhi: “Kryeministri Berisha dhe kabineti i tij na kanë dhënë besimin për të investuar në Shqipëri, gjatë konferencës të mbajtur për investimet. Kështu që padyshim vendosa të hap biznes dhe në vendin tuaj. Brenda një dite lehtësisht munda të regjistroj kompaninë Al Raxhi në Tiranë duke hapur dhe një llogari. Tani po studiojmë sektorët ku do të përqendrojmë investimet, mund të jetë tregu i pasurive të paluajtshme, industria, tregu i aksioneve në një të ardhme, dhe sigurisht turizmi, pasi keni shumë potenciale në këtë fushë”.
Investitori saudit shprehet i befasuar nga politikat pro-biznes që ndjek qeveria shqiptare dhe është i mendimit se një klimë e tillë është ajo çka kanë nevojë investitorët e huaj.
Ai pohon se me të mbërritur në Arabinë Saudite do tu transmetoje eksperiencën pozitive në Shqipëri edhe sipërmarrësve të tjerë saudite.
Abdulrahman Aziz Al Raxhi: “Pasi të kthehem në Arabinë Saudite do t’ju a përcjell edhe investitorëve të tjerë aty, ata çka kam parë në Shqipëri. Politika të favorshme dhe tërheqëse për investimet, sektorët dhe mundësitë e mëdha për investime, lehtësira për biznesin dhe sigurisht një qeveri që mbështet sipërmarrësit. Dihet që Investitorët janë përgjithësisht të frikësuar kur ndërmarrin një plan investimesh pasi pikësëpari kërkojnë një vend me stabilitet, Shqipëria i ofron të gjitha këto”.
Sipërmarrësi saudit garanton se hapi tjetër është investimi në një fushë konkrete në Shqipëri. Ai është i mendimit se vendi ynë i mirëpret investitorët pavarësisht se nga ata vijnë, duke i shndërruar këto iniciativa në histori suksesi me përfitime për të gjithë./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro