Pavarësisht paketës prej 700 miliard dollarësh rreziku ekziston ende. Kreu i thesarit në Shtetet e Bashkuara, Henry Paulson, ka paralajmëruar se disa institucione financiare do të falimentojnë.
Sipas tij qëllimi i aktit të emergjencës nuk është shpëtimi i çdo banke, por më tepër zbutja e problemeve financiare në treg në rast falimentimi të ndonjë institucioni financiar.
Deklarata e tij përforcon raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se kriza nuk përfundon me kaq, por do të vazhdojë duke rrezikuar tregjet ndërkombëtare, megjithatë Paulson mbrojti përpjekjet e qeverisë duke thënë se Departamenti Amerikan i Thesarit dhe Federal Reserve nuk do të ndalen këtu në përballjen me krizën.
Një ditë pasi bankat qendrore ulën normën e interesit bursat në botë kanë qenë ende të dobëta në rezultate.
Indeksi japonez, Nikkei, ka mundur të rimarrë veten, ndërkohë që qeveria hodhi në treg 20 miliard dollarë.
Reagim pozitiv ka shfaqur dhe bursa në Britani, Francë dhe Gjermani me një rritje prej 2 deri në 3% duke reflektuar ndikimin e shpejtë të uljes së normës së interesit, një vendim i befasishëm i ndërmarrë nga shtatë bankat qendrore.
Po kështu indeksi Dow Jones ka ringritur pozitat e tij në tregun ndërkombëtar financiar me 190 pikë, e thënë ndryshe 2%, ndërsa në Australi aksionet kanë rënë thuajse me të njëjtën vlerë.
Ekonomistët kanë qenë të ndarë në analizimin e situatës së bursave. Disa prej tyre janë të mendimit se vlera e aksioneve është e qëndrueshme, pra ka fituar një lloj stabiliteti të parrezikuar për momentin, ndërsa të tjerë i shohin luhatjet si një paqëndrueshmëri të theksuar, evidentuar dhe në çmimin e naftës, e cila duket se po ndryshon në varësi të treguesve në bursa.
Së fundmi një fuçi e arit të zi është shkëmbyer me 88.95 dollarë duke pësuar një rritje prej thuajse 4 dollarësh në krahasim me një ditë më parë./tvklan.al