Wall Street nuk i beson më premtimeve të shefit të Bankës Qendrore, Ben Bernanke, mes të cilave edhe uljen e normës së interesit.
Bursa nju jorkeze pësoi të tjera humbje mbrëmjen e së martës duke mos gëzuar asnjë ditë të qetë.
Indeksi Dow Jones u mbyll me -5.11%, ndërsa Nasdaq me -5.80. Rezultati përfundimtar për Dow Jones ishte i frikshëm.
Deri më dje i kanë humbur 10 mijë pikë për herë të parë pas katër vitesh. Rënia në kryeqendrën financiare të Shteteve të Bashkuara erdhi pas frikës për një recesion të mundshëm.
Investitorët i kanë humbur shpresat. Volumi i shitjeve ka rënë me 50%. Një rënie të ndjeshme ka pësuar dhe çmimi i naftës.
Koka: Britania, plan shpëtimi për krizën
Qeveria britanike do të zbulojë një paketë shpëtimi për bankat e rrezikuara, ndërsa aksionet e tyre kanë pësuar rënie të ndjeshme.
Sipas Ministrit të Financave, Alistair Darling, plani i shpëtimit ka të bëjë me injektimin e miliarda sterlinave në banka në mënyrë që ato të kenë fonde të mjaftueshme për operacionet e përditshme.
Nga ana tjetër ministrat evropianë të financave ranë dakord për një garanci minimale për depozitat bankare me vlerë 50 mijë euro, por shumë prej vendeve të tjera kanë rënë dakord ta dyfishojnë këtë shumë.
Ditët e fundit Irlanda, Gjermania, Austria dhe Danimarka kanë ofruar mbrojtje të pakufizuar ndaj këtyre depozitave.
Kriza globale ka detyruar presidentin Bush të bëjë thirrje për një veprim të përbashkët botëror për përballimin e saj.
Sipas tij është i nevojshëm organizimi sa më i shpejt i një samiti ku liderët e vendeve më të industrializuara të diskutojnë rrugët se si do të dalin nga kjo krizë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle