Lajme Arkiva 2003

Në dy vite të qeverisjes vendore, Tirana ka ndryshuar si nata me ditën. Kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama ka zgjedhur inaugurimin e sallës së re të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak për nisjen e viti elektoral të zgjedhjeve vendore, gjatë rezymesë së gjatë të punës së bërë në këto dy vite nga stafi i bashkisë, jo vetëm në infrastrukturë Rama ka folur që nga përmbytja e Selitës deri të çështja e kullave Hawai Alb.

Kryebashkiaku nuk ka harruar pa sulmuar edhe mungesën e opozitës e cila ka shoqëruar vendimet e rëndësishme për qytetarët e Tiranës.

Edi Rama: Pas dy vitesh mungese të pajustifikuar dhe të pajustifikueshme, përfaqësuesit demokrat e kanë kapërcyer pragun e Këshillit Bashkiak në tetorin e vitit 2002 me një mocion sa absurd aq edhe antikushtetues për shkarkimin tim nga detyra. Motivi është përmbytja në Selitë. Me t’u tharë Selita  ata kanë ngritur një tjetër kërkesë antiligjore, duke pretenduar anulimin e vendimit legjitim të Këshillit të Rregullim Territorit për kullat e Hawait, e duke i yshtur kundër meje personalisht, përmes shtrembërime të turpshme të së vërtetës blerësit e mashtruar të dy kullave. Paralelisht me këto dy qoka të bujshme të fundvitit në Bashkinë e Tiranës, këshilltarët demokrat, përmes dy a tre figurave përfaqësuese të grupit të tyre, kanë dyndur me okë rrenash besimtarët e opozitës lidhur me të ashtuquajturën veprimtari abuzive të kryetarit të bashkisë, e cila sipas tyre shtrihet nga harbimet penale te ekseset anale. Se si mund të jetohet duke “rrejt” miletin kudo për çdo gjë vazhdimisht, këtë e dinë ata goxha burra që po plaken dhe dorë s’po heqin nga zanati i rrenës. Kurse ajo që di unë është se asnjërit prej nesh qytetarët nuk ia kanë dhënë votën për ti gënjyer sa më shumë, por për tu shërbyer sa më  mirë.

Duke i kthyer përgjigje deklaratave të fundit të opozitës kryetari i bashkisë është shprehur se:

Edi Rama: Në fund të fundit këtë betejë të pashpresë të opozitës në Tiranë, zotërinjtë e kanë me mua si individ dhe me forca politike të mazhorancës që po e qeverisin me sukses këtë qytet, por në asnjë mënyrë me vetë qytetin apo me institucionin e Bashkisë të Tiranës, kështu që do ta zhvillojmë betejën elektorale, secili sipas mënyrës së vetë, por pa harruar detyrat e përditshme të shtëpisë që qytetarët na kanë ngarkuar. Pa i penguar rrugët dhe kanalizimet e reja të zgjaten drejt periferive, pa i penguar hapësirat e gjelbra të lindin brenda lagjeve dhe pemët të shtohen dhe të rriten përgjatë akseve të rindërtuara, pa i penguar dritat të ndizen dhe mbeturinat të vazhdojnë të mblidhen rregullisht dhe kështu me radhë, pa penguar punën e gjithanshme për mbarëvajtjen e qytetit në këtë vit elektoral.

Përball përfaqësuesve të ftuar të komisioneve qytetare pranë Bashkisë së Tiranës, Rama ka vlerësuar pozitivisht ndryshimet. Ai ka përmendur investimet në të gjithë qytetin, jo vetëm në qendër por edhe në zonat periferike si edhe atë çfarë është bërë në fushën sociale./tvklan.al