Çështja e Teatrit Kombëtar ishte kryefjala e bashkëbisedimit që kryebashkiaku i Tiranes Erion Veliaj zhvilloi me të rinjtë e FRESH-it ne kampingun e Jalës. Veliaj akuzoi se është politika dhe jo artistet ata që kërkojnë sabotimin me çdo kusht të këtij projekti.
“Në fillim patëm një histeri kolektive, kurse aktorët që punojnë aty ishin të shqetësuar. Presidenti i Republikës bëri një thirrje dhe tha: ‘Kryetari i Bashkisë të gjejë gjuhën me aktorët, që ne të ecim përpara’! Bëmë një takim me aktorët, një me urbanistët, një me arkitektët, një me të gjithë së bashku. U treguam projektin, në fund aktorët u bindën; pra ata që ishin grupi legjitim, që ka vetë interes, u bind. Pasi u bindën aktorët, politika e mbrapshtë, që nuk do që t’i shkojë asgjë mbarë Shqipërisë, tha: ‘Ou, na u prish plani, tani o burra ta marrim vetë kontrollin e kësaj dhe me ç’na ka ngelur nga ata të lodrave, ç’a kemi portale, hajde ta sabotojmë me çdo kusht! Projekti u sabotua vetëm për 40 ditë. Në shtator do të futemi në fazën e tretë, ku politika e mbrapshtë do të mundet sërish me votat që populli shqiptar i ka dhënë Tiranës dhe Shqipërisë për ndryshim”,
tha Veliaj.
Ai renditi edhe një sërë nismash të mëparshme, të cilat në fillim hasën rezistencë, por në përfundim rezultuan të suksesshme dhe u vlerësuan. Veliaj theksoi se përkundër shumë politikanëve që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njëri-tjetrin.
“Filmi është i njëjtë, nuk ndryshon. Fillimisht ka kundërshtim, pastaj shumë energji për të shpjeguar vizionin, përqafim të vizionit nga ata që e kuptojnë se duam të sjellim ndryshim dhe refuzim nga ata që nuk duan të shohin jo vetëm ju një ditë të bardhë, por as vendi, sepse po pati vendi paqe, s’ka punë për ta. Për ata ka punë vetëm nëse vendi ka krizë dhe sherr. Ndaj, ka shumë politikanë që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, ndërkohë detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njeri-tjetrin. Kjo është motoja jonë dhe ndaj do fitojmë”
, tha ai, teksa shtoi se janë jo të pakta rastet kur partitë politike që nuk duan ndryshimin e marrin vetë pronësinë e protestës.
Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Veliaj theksoi se realiteti ndryshohet vetëm duke i prekur gjërat dhe se është puna dhe përpjekja ajo që bën diferencën. Ai tha se pavarësisht detyrave të secilit në FRESSH, në PS, në qeveri, në bashki, misioni është vetëm një: për ta shndërruar Tiranën dhe Shqipërinë një vend dinjitoz evropian.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se pavarësisht detyrave tona në FRESSH, në PS, në qeveri, në bashki, misioni është një: Ta bëjmë Tiranën, ta bëjmë Shqipërinë një vend dinjitoz evropian. Suksesi vjen pak a shumë me këtë formulë: Së pari, me dikë që vendos që do bëjë diçka, që do ndryshojë realitetin ku jeton dhe realitetin mund ta ndryshosh duke çuar njeriun në hënë ose duke u bërë këngëtari më i famshëm, ose duke qenë pjesë e një force politike që merr vendimet për ndryshimin e realitetit. E dyta, duhet të punojmë, nuk mjafton vetëm dëshira. Është puna dhe përpjekja ajo që bën diferencën”,
deklaroi kreu i Bashkisë.
Kryebashkiaku tha se botën e ndryshojnë vetëm ata që zbresin në arenë dhe se PS do të zbresë në arenë në Tiranë për të fituar dhe për të treguar se çfarë mund të bëjë akoma më shumë se sa është bërë deri më sot.
“Botën e ndryshon vetëm kush zbret në arenë, një gladiator që shkon e përleshet, një futbollist që shkon të bëjë gol, një atlet që mundohet të thyejë rekordin, dikush që thotë: Do kandidoj unë për Kryetar Bashkie, për kryeministër, për deputet, për anëtar të Këshillit Bashkiak dhe do marr përsipër ta zgjidh këtë punë për komunitetin, këta njerëz e ndryshojnë botën. Arena mund të jenë zgjedhjet e ardhshme. Do të zbresim në arenë në Tiranë për të fituar dhe për t’ju treguar se çfarë mund të bëjmë edhe më shumë nga çfarë kemi bërë sot”
, tha Veliaj.
Kryetari i FRESSH-it, Eljo Hysko deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme vendore sfida nuk është me kundërshtarët politikë, por me vetveten për të pasur një Tiranë akoma edhe më të mirë.
“Ne nuk kemi kundërshtarë, ne duhet të tejkalojmë vetveten dhe ato që kemi arritur deri tani. Ata që kemi përballë nuk janë njerëz të cilët munden duke u përballur me fakte me atë çfarë kemi bërë, jo vetëm 4 vite në Tiranë, por edhe 5 vite në qeverisje, por jemi ne të cilët duhet të sfidojmë veten tonë për të pasur një Tiranë akoma edhe më të mire
”, deklaroi Hysko.
/tvklan.al