Në javën evropiane të demokracisë vendore kryeministri Berisha ka kërkuar me shumë bashkëpunim me pushtetarët lokal, duke i garantuar këta të fundit se mbetet i vendosur për realizimin e procesit të decentralizimit dhe partneritetit me drejtuesit e komunave dhe bashkive në vend.
Për këtë arsye theksoi kreu i qeverisë, ekzekutivi mbetet i angazhuar që të krijoje fondin e zhvillimit të rajoneve.
Sali Berisha: “.. kryesore do të jetë decentralizimi, do të jetë partneriteti me ju, do të jetë autonomia e juaj. Ne kemi vendosur të krijojmë fondin e zhvillimit të rajoneve, që të ulim maksimalisht kompetencat e dikastereve qendrore dhe t’i kalojmë ato tek ju. Ju të merrni planet, ju të bëni projektet, ju të përcaktoni përparësitë e investimeve në qarqet, bashkitë dhe në komunat tuaja dhe jo qeveria qendrore. Ne duam që çdo qindarkë që shkon drejt bashkive, komunave e qarqeve të kaloj në sitën tuaj”.
Gjatë takimit me pushtetarët lokal në javën ndërkombëtare të demokracisë vendore. Një aktivitet ky i organizuar nga Ministria e Brendshme, ku merrnin pjesë dhe krerë të përfaqësive diplomatike në Tiranë.
Kryeministri Berisha premtoi se do të shumëfishojë garantin për komunat dhe bashkitë, por gjatë bashkëbisedimit me ta numri një i qeverisë u kërkoi të zgjedhurve vendore që të përqendrohen në dy drejtime, në vjeljen e taksave nga tatimoret dhe vendosjen e taksës së pronës.
Sali Berisha: “Dy kërkesa miqësore. Tregoni zero tolerancë ndaj autoriteteve tuaja tatimore .. të bizneseve. Sa e ndershme është, sa e dobishme është, sa qëndron që ne të dërgojmë kontrollet nga qendra dhe të gjejmë pothuajse gjer në 50%, ka raste biznese të pa regjistruara. Së dyti në të gjithë botën burimi kryesor i të ardhurave i qeverive vendore është taksa e pronës. Në qoftë se ju me seriozitetin më të madh do të vini këtë taks, situata financiare e juaj do të jetë krejt tjetër. Në qoftë se ju duket e rëndë, urdhëroni ta ulim, por ta vjelim ama”.
Edhe për Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, konsolidimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis pushtetit lokal dhe atij vendor mbeten prioritet i dikasterit të drejtuar prej tij katër vitet në vijim.
Lulzim Basha: “Kjo u kthye vërtetë në një festë dhe në një mundësi të artë për t’i dhënë një shtytje dhe për t’i vërtetuar kontributet për konsolidimin e procesit të decentralizimit në Shqipëri, konsolidimin e mandatit të të zgjedhurve vendor, rritjen e peshës së administratës vendore dhe rajonale, prezantimin e praktikave më të mira të qeverisjes vendore, rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, bashkëpunimin evropian në fushën e demokracisë vendore, demonstrimin e një bashkëpunimi intensiv midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore”.
Një tjetër angazhim i qeverise drejtuar të zgjedhurve lokal ishte edhe ai për asfaltimin e çdo rruge që të çon drejt ultësirës bregdetare e turistike, pa braktisur theksoi zoti Berisha asnjë zonë tjetër në mbarë vendin./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro