45 milion lekë ka kushtuar rruga Kusarth-Balëz në komunën e Bradasheshit në Elbasan. Një investim që do të mundësojë lidhjen e 7 fshatrave me rreth 10 mijë banorë me rrugën kombëtare. Kryeministri Sali Berisha pasi preu shiritin e inaugurimit nuk harroi të përmend një ndër prioritetet e qeverisë së tij rrugët rurale.
Sali Berisha: “Shqipëria rurale është në vëmendjen e madhe të qeverisë.”
Pak kilometra më tej kryeministri u ndal në një tjetër investim të rëndësishëm, këtë radhë në energji. Nën stacioni elektrik që do të stabilizojë furnizimin me energji elektrike të Elbasanit ka kushtuar plot 900 milion lekë.
Shiritin që inaugurimit e preu kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli që shoqëronte kryetarin e qeverisë së bashku me ministrat Basha e Olldashi. Këtu Berisha foli për një tjetër projekt të rëndësishëm të qeverisë së tij.
Sali Berisha: “I paraprijmë parkut industrial të Elbasanit, edhe ai është një premtim i imi i madh.”
Furnizimi me energji 24 orë renditet gjithashtu si prioritet.
Sali Berisha: “Deri tani ka pasur drita me 24 orë. Drita 24 orë do të ketë në çdo rast që ne në tregun rajonal të gjejmë energji për të blerë. “
Një inspektim i fabrikës së letrës, një investim prej 3 milion eurosh ishte pjesë e agjendës së kryeministrit Berisha. Në uzinën e Ferrokromit në Elbasan është vënë në punë furrnalta e parë, shumë shpejt edhe dy të tjera. Një proces pune që kryetari i qeverisë e kishte vendosur në agjendën e tij për ta ndjekur nga afër.
Deklarimin për median Berisha e fokusoi tek respektimi i standardeve për mbrojtjen e mjedisit. Nisur nga problematika shqetësuese që shfaq ky qytet me parametrat e ndotjes.
Sali Berisha: “Në kërkojmë standardet më të larta për mjedisin kudo, në tërësi dhe në veçanti në këtë qytet.”
Sërish në një tjetër investim në infrastrukturë, rruga mbretërore në periferi të qytetit të Elbasanit 3.5 km e gjatë, 35 milion lekë. Ky moment i shërbeu kryeministrit të garantojë kryetarin e bashkisë së Elbasanit i mandatuar nga socialistët se qeveria do ta mbështesë çdo projekt për zhvillimin e qytetit.
Sali Berisha: “Për asfaltimin e rrugëve, për kanalizimet, për furnizimin me ujë, për urbanizimin e zonave informale të këtij qyteti.”
Pas këtij momenti u pre një tjetër shirit ai për rikonstruksionin e rrugës 8 marsi, me vlerë 18 milion lekë. Kryeministri foli për arsimin si prioritet të qeverisë së tij gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Berisha kërkoi nga pedagogët të konkurrojnë për të përfituar nga fondi i ekselencës di dhe ofroi garanci punësimi për studentët që shkollohen pranë këtij universiteti.
Takimi “Shqipëria në NATO” përmbylli agjendën e ngjeshur të kryeministrit Berisha në Elbasan. Ai renditi arsyet e marrjes së ftesës për anëtarësim ndër më të rëndësishmet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Sali Berisha: “Janë mbi 80 zyrtarë të arrestuar, ju garantoj ju se nuk do të kursehet as dhe një zyrtar i vetëm i cili të kryej aktin e turpshëm, kriminal të korrupsionit.”
Luftën kundër ryshfetit dhe bashkëpunimin qytetar në këtë drejtim, kryeministri e ka shndërruar tashmë në refren të takimeve të tij në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”.
Sali Berisha: “Mos pranoni të jepni ryshfet, pranga, pranga, dhe vetëm pranga.”
Në Elbasan Berisha premtoi për zgjidhje në një kohë të shpejtë të problemeve kryesore të qytetit. Ai tha se është në proces prokurimi rruga e Gjinarit, ndërsa do të realizohet brenda këtij mandati dhe lidhja rrugore e Dumresë me Kuçovën. Të gjitha këto si pjesë e një premtimi të madh për një rrjet rrugor modern në të gjithë vendin./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi