Zona bregdetare në jug të vendi nga Ksamili në Dhërmi do të lidhet me një rrugë tërësisht të rikonstruktuar, projekt që do të përfundojë në prill të vitit 2009. Kryeministri Berisha i shoqëruar nga 2 ministrat Sokol Olldashi dhe Ylli Pango në vizitën e tij në zonën e Orikumit edhe në fshatrat e bregut ka përuruar nisjen e punimeve në disa objekte të rëndësishme, që i shërbejnë pikërisht të ardhmes turistike të zonës.
Gjatë qëndrimit në qytetin e Orikumit kreu i qeverisë përuroi fillimin e punimeve në unazën e re me vlerë 1,1 milion dollarë si dhe ndërtimin e tregut të ri të fermerëve. Në bashkëbisedimin e tij m biznesmen dhe banorë të zonës, Berisha theksoi se përurimi i këtyre projekteve çel siparin e investimeve të ndryshme që në zonën e bregu do të arrijnë në 37 milion dollarë, financime të Bankës Botërore e qeverisë shqiptare dhe pushtetit vendorë.
Sali Berisha: “Në Tiranë e quajnë ngjarje shumë të rëndësishme, plani ose masterplani i bregut të Jonit i hartuar nga një nga kompanitë më të njohura, nuk ishte për njolla, jo qartësonte se ku nuk mund të ndërtohet, të mos biem viktimë e babëzisë, babëzia e ndërtuesve me babëzinë e qeveritarëve ajo prodhon vetëm shëmti.”
Kreu i qeverisë më tej u ndal në Palasë, ku ka parë nga afër projektin inxhinierik për ndërtimin e rrugës së këtij fshati.
Sali Berisha: “Në 2007 kam ardhur këtu dhe u kam premtuar banorëve të bregut, se qeveria do të ndërtojë një infrastrukturë moderne për fshatrat e bregut, rrugë, ujësjellës, sheshe, kanalizime dhe pas një viti ky premtim bëhet konkret.”
Agjenda e kreut të qeverisë ka vijuar në Dhërmi, ku ai ka prerë shiritin e përurimit për fillimin e ndërtimeve të ujësjellësit të ri dhe të rregullimit të sheshit të fshatit, ndërkohë ka kërkuar që shtëpia e lindjes së shkrimtarit të njohur Petro Marko të kthehet në shtëpi muze.
Sali Berisha: “Duhet t’ja ngremë shtëpinë, t’ja rindërtojmë edhe një muze mund të bëhet. Jeta e tij ka qenë një jetë ngamë të pasurat, më të veçantat, një intelektual, shkrimtar, luftëtar lirie, një njeri që nuk u mposht ndonjëherë, por qëndroi besnik i parimeve që ai besonte.”
Rrugëtimi i kryeministrit ka vijuar në fshatin Ilias ku ai ka prerë shiritin e punimeve për ndërtimin e rrugës që të çon në manastirin e Shën Thedhorit dhe kanionin e Gjipes duke kërkuar që projekti i saj të zgjatet deri në breg të detit. Fundi i vizitës së tij në zonën e bregu ishte inspektimi i punimeve në rrugën Himarë-Dhërmi. Ai ka kërkuar nga kryetari i bashkisë së Himarës të përshpejtojë projektin për impiantin e ujërave të zeza. Gjatë bashkëbisedimit me kreun e qeverisë banorët kanë kërkuar nga ai zgjidhjen e çështjes së pronave që sipas tyre po mban peng zhvillimin normal të zonës./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama