Zgjedhjet ishin kryefjala e mbledhjes së kabinetit qeveritar. Kryeministri shfrytëzoi prezencën e medias për të bërë një pasqyrë të procesit të pajisjes së shtetasve me letërnjoftimet e reja.
Të paktën 12 mijë aplikime në ditë që kanë mbërritur në 277 mijë që prej fillimit të procesit, 125 mijë karta të prodhuara vetëm në Tiranë janë disa nga shifrat që publikoi kryeministri Berisha.
Gjithçka për kryetarin e qeverisë përkthehet në ecuri të shkëlqyer të procesit si përgjigje kjo edhe ndaj akuzave të opozitës.
Sali Berisha: “Janë aplikuar me të gjithë zhurmën e pabaza të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshëm në historinë e këtij vendi. Nga kontingjenti prej 700 mijë që janë pa pasaporta, pra kanë ngel rreth jo më shumë se 400 mijë. Ata të cilët u ranë borive se procesi po kështu apo po ashtu, po dështon dhe nuk po ecën, ata marrin përgjigjen me statistika. Masat që mori qeveria për uljen ndër kosto të çmimit të kartave kanë patur efektin e vet, përpjekjet për t’i shndërruar këto në letra votimi, në karta votimi siç ndodhi në ’97-tën që u shpërndanë gratis dhe përfunduan në Lanë shumica e atyre janë përpjekje për të prishur procesin sesi të zhvlerësosh totalisht dhe ta shndërrosh në ato kartat e votimit, por këto nuk janë karta votimi.”
Kryeministri tha i bindur se procesi i pajisjes së shtetasve me letërnjoftimet e reja do të kompletohet përpara afateve të përcaktuara.
Nën këtë linjë kryetari i qeverisë tha se zgjedhjet parlamentare që po afrojnë do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces tjetër që është zhvilluar në vend.
Listat paraprake si pjesë e rëndësishme e procesit janë publikuar tashmë. Bashkitë dhe komunat, tha kryeministri, nuk kanë shprehur asnjë shqetësim që lidhet me to.
Deklarata e kryeministrit në mbledhjen e qeverisë vjen vetëm një ditë pas takimeve që ai zhvilloi me përfaqësuesit e misionit të OSBE-ODHIR.
Të martën kryeministri u takua edhe me zv/Ministrin e Jashtëm çek. Berisha ripërsëriti kërkesën parashtruar tashmë ndërkombëtareve për sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare.
Sali Berisha: “Unë i kërkova kryetarit të misionit që ka autorizimin e qeverisë shqiptare të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish nga të gjithë bota.”
Gjatë gjithë deklarimit të tij kryeministri e pa disa herë të udhës të ftojë qytetarët të aplikojnë, me këtë rast edhe përfaqësuesit e medias.
Sali Berisha: “Tani me zgjedhjet e mbyllëm, ju mbetet vetëm të votoni ju për kë të doni”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi