Qeveria do të marrë përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, ky i fundit do të jetë projekti më i rëndësishëm i kaskadës së Drinit që do të synojë minimizimin e përmbytjeve si dhe prodhim më të madh të energjisë elektrike.
Kryetari i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, e cilësoi Skavicën si mëmën e të gjithave digave të Kaskadës, pasi garanton optimizimin e funksionit të saj.
Sali Berisha: “Situata është shumë më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigande, i cili ka një kosto minimale gjysmë miliard euro mund të jenë edhe më shumë. Ministria e Ekonomisë dhe KESH dhe agjencitë e tjera dhe ministritë e tjera duhet të vazhdojnë, për të hapur tenderin për projektin, nga studimet fillestare e deri të projekti zbatimit ose të përcaktojë parimet dhe ta tenderojë më çelësa në dorë. Ne duhet të ndërtojmë Skavicën, por mendoj që ne duhet ta fillojmë gjatë këtij mandati dhe shpresoj që mandatin tjetër ajo të jetë vepra e kryesore publike që ndërtohet në Shqipëri. Unë në mënyrë shumë të ndjeshme edhe mundësitë e përmbytjeve të mëdha në zonën e nën Shkodrës dhe Shkodrës është një lloj tamponi jo i pa rëndësishëm. Kjo vepër duhet të marrë jetë,kjo nuk mund të rrijë me si fantazmë nëpër sirtarët e burokracisë shqiptare.”
Ndërtimi i kësaj vepre gjigande publike do të rrisë më të paktën 400 megavat prodhimin e energjisë elektrike.
Sali Berisha: “Nuk janë këtu vetëm 350 apo 400 megavat, që do të prodhojë ky hidrocentral, por janë së paku edhe ndoshta mbi 1 miliard kilovat/orë që do prodhojnë më shumë të gjitha hidrocentralet e tjera të Kaskadës të marra së bashku për shkak të optimizimit.”
Ideja për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës qarkullon të paktën prej 30 vitesh, gjatë qeverisjes socialiste, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi me një kompani prestigjioze italiane, të cilën qeveria demokratke e konkretizoi duke shndërruar në tender. Por problemet e brendshme të konsorciumit italian, bënë që qeveria shqiptare të hapë tenderin për Skavicën,kohë që përkoi me kohë të vështirë për kompanitë e interesuara për shkak të krizës financiare ndërkombëtare.
Sot qeveria po konsideron të marrë në dorë seriozisht ndërtimin e këtij hidrocentrali, duke vendosur atë në projektet më të rëndësishme krahas të ndërtimit të infrastrukturës rrugore./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi