Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë ka qenë kryefjala e kryeministrit Berisha në forumin “Italia dhe investimet e Evropës juglindore” i mbajtur në Verona të Italisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse zoti Berisha tha përpara ministrit të ekonomisë italiane Klaudio Scajola dhe përfaqësuesve të grupeve të biznesit se ndonëse një vend i vogël, Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investitorët.

Ai shkoi me tej duke thënë se ky zhvillim në ekonominë shqiptare ka ardhur si pasojë e reformave të mëdha të ndërmarra nga qeveria e tij.

Sali Berisha: “Ekonomia shqiptare është një ekonomi e re, por dinamike. Në Evropë ishte ekonomia që i rezistoi me sukses tsunamit ekonomik botëror. Vendi im ka patur një rritje ekonomike më shumë se 4% vitin e kaluar dhe kjo falë lirisë fiskale më të madhe në botë. Shqipëria është vendi që ka barrën fiskale më të ulët në Evropë. Së dyti qeveria ime është e detyruar të bëjë investime në infrastrukturë, vetëm në autostrada vitin e shkuar kemi i vetuar 10% të PBB. Nga ana tjetër unë besoj tek taksat e ulëta, besoj te një administratë publike e vogël dhe administrata jonë mund të them se është më e vogël se ajo në Maqedoni.”

Gjatë vizitës së tij në Itali kryeministri Berisha u prit dhe në një takim të veçantë me ministrin Italian të ekonomisë Klaudio Skajola ku në qendër të bisedës mes dy zyrtarëve të lartë ishte rëndësia e Shqipërisë si partnere e Italisë në zhvillimin e burimeve për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Ndërsa zoti Scajola garantoi mbështetjen e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve e në veçanti ndaj atij të linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri-Itali. Kryeministri Berisha ripërsëriti objektivin  dhe ambicien e e ekzekutivit për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj.

Sali Berisha: “Ambicia kryesore e vendit tim është të kthehet në një superfuqi energjetike rajonale, që do të thotë se ne jemi të vendosur që vitet e ardhshme të përdorim të gjithë burimet energjetike, në mënyrë që Shqipëria të jetë një eksportuese e madhe e energjisë.”

Gjatë takimit të dy zyrtarët ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të thellohet me tej në fushën e energjisë bërthamore. Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dy vendeve, të sapo krijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji në afat të gjatë. 

Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu rëndësinë e projekteve ndërkombëtar të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energjie, me qendër në Shqipëri, që shton garancitë dhe pavarësinë e furnizimit me energji dhe me gaz./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro