Mes shumë takimeve kryeministri Berisha është ndalur gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe për tu takuar dhe me investitorë të Odës Ekonomike të Kosovës.

Për investitorët kosovarë kontributi i shefit të ekzekutivit shqiptar ka qenë real jo vetëm në krijimin e shtetit të Kosovës, por edhe në përkrahjen që ai ka treguar për zhvillimin ekonomik të këtij shteti.

Duke folur përpara sipërmarrësve qe kishin ardhur nga e gjithë Kosova për tu takuar me kryeministrin shqiptar, Berisha ka garantuar mbështetjen që qeveria e tij do t’i japë biznesit kosovar, duke siguruar për heqjen e çdo barriere që ekziston.

Për Berishën nuk ka detyrë më parësore për një qeveri sesa krijimi i klimës së përshtatshme për zhvillimin e biznesit.

Duke ftuar biznesin kosovar që të investojë në Shqipëri, kryeministri Berisha nuk ka ngurruar që të përmendë për përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës të gjitha arritjet e Shqipërisë gjatë 4 viteve të shkuara.

Gjatë ditës së djeshme  Berisha ka zhvilluar takime dhe me krerët e partive opozitare kosovare, Ramush Haradinajn e AAK, Nexhat Dacin, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe Bexhet Pacollin, kryetarin e  Partisë Aleanca e Re për Kosovën.

Gjate këtyre takimeve Kryeministri shqiptar ka shprehur vlerësimin e tij për rolin dhe për kontributin e tyre si në procesin e pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe në ndërtimin e vlerave dhe të standardeve demokratike në Kosovë.

Në bisedat me ta Berisha është ndalur edhe në diskutime për procesin zgjedhor. Ai ka shfrytëzuar rastin për të theksuar se opozita ka të drejtë më parësore të kërkojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ka garantuar se për sa kohë ai do të ishte në pushtet do t’i njohë opozitës këtë të drejtë të shenjtë.

Berisha gjate qëndrimit në Prishtinë, ka bërë dhe homazhe në varrin e ish Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova ndërsa më pas ka zhvilluar një  vizitë në familjen Rugova ku u takua me bashkëshorten dhe fëmijët e tij./tvklan.al

Gazetarja: Elja Zotka