Nga Kamza ku ka vijuar turin e tij “Shqipëria po ndryshon” kryeministri Berisha ka akuzuar rivalin e tij politik i cili njëherësh drejton bashkinë më të madhe në vend. Se e ka bazuar politikën e tij mbi mashtrime për të hedhur poshtë punën e qeverisë.

Sali Berisha: “Kreu i PS ka ndërmarrë fushatën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve do t’ia kishte lakmi edhe ati i tij shpirtëror Enver Hoxha. Ai flet për Sali Berishën njëlloj si Hoxha për udhëheqësit e vendeve të lira. Ju do ti rezervoni atij atë fund që meritojnë të gjithë ata të cilët duan të ndërtojnë karrierën e tyre mbi kthetrat e mafies. Një njeri që ka kaluar fëmijërinë duke lëpirë dhe lëmuar bustet e Enver Hoxhës nuk mund të ndërtojë të ardhme në këtë vend.”

Edhe pse e ka akuzuar kryebashkiakun Rama për mos realizim të investimeve, Berisha gjatë një takimi me banorët e Kamzës ka konfirmuar se kjo s’do të ndikojë aspak për të limituar fondet që qeveria i akordon bashkisë së Tiranës.

Sali Berisha: “Qeveria do të akordojë sërish dhe sërish. As dhe një qindarkë për ty dhe mashtrimet e tua, që të gjitha për qytetarët e Tiranës, për fëmijët e Tiranës, për të moshuarit e Tiranës.”

Dallimet partiake për Berishën nuk do të ndikojnë aspak në bashkëpunimin e qeverisë me pushtetin lokal dhe ja ka konfirmuar dhe kryetarit të komunës Zall Herr, i zgjedhuri vendos i opozitës. Kjo gjatë prerjes së shiritit për inaugurimin e rrugës Bathore-Zall Herr, një investim me vlerë 51.5 milion lekë.

Sali Berisha: “Kemi vendosur partneritet midis qeverisjes qendrore dhe qeverisjes vendore. Partneritet që në mënyrë absolute kategorike nuk do mund të bëjë asnjë lloj dallimi me ngjyra partiake. Por do jetë i tëri në interesin më të mirë të banorëve, qytetarëve shqiptar.”

Me ironi Berisha i është përgjigjur dhe interesit të gazetarëve për të marrë opinionin e tij në lidhje me protestën e opozitës.

Sali Berisha: “Ky është një vend demokratik, i vetmi urim që kam unë të mos ju bjeri shi për t’ua prish atë miting.”

Në bashkinë Kamëz kryeministri ka prerë shirita inaugurimi për përfundimin e fazës së parë të rrugë në lagjen Laknas, investim 76.8 milion lekë. Berisha ka inauguruar mbylljen e fazës së parë të linjës 20 kilovolt të qendrës Bathore me një vlerë 5 milion dollar.

Ndërsa vazhdon faza e dytë e cila ka një kosto 7 milion dollar. Po ashtu kryeministri ka inspektuar dhe përfundimin e punimeve të fazës së parë të ujësjellësit të Bathores  me vlerë 67.33 milion lekë. Ndërsa ka vënë tullën e parë për fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare Laknas, edhe ky një investim i qeverisë shqiptare prej 41.4 milionë lekësh./tvklan.al

Gazetare: Elia Zotka