Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar zyrtarisht Edi Ramës të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe të kandidojë si deputet. E ka bërë këtë gjatë një vizite në qytetin e Krujës, simbol i qëndresës shqiptare, ku inauguroi një sërë veprash publike.
Sali Berisha: “Unë i bëj thirrje zotit Rama, hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shikoje drejt e në sy Skënderbeun, se dashtë Zoti të jep pak forcë të japësh dorëheqjen si kryetar i bashkisë dhe të dalësh në shesh të mejdanit, për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor. Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, socialistë të ndershëm, ata duan të të shohin ty të garosh për kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të bashkisë, pas karrigeve të bashkisë. Ftojeni këtu, dil, hajde këtu dhe uroj që të të japin pak trimëri, pavarësisht atyre që ke shpifur dhe trilluar, por e sigurt është disfata e thellë, humbja më e madhe që ka njohur ndonjë herë kush në zgjedhjet në Shqipëri.”
Kreu i qeverisë u shpreh i sigurt për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, duke thënë se shqiptarët do të zgjedhin alternativën e kësaj mazhorance për një Shqipëri që ndryshon përmes reformave të thella dhe investimeve prej disa miliarda dollarë.
Sali Berisha: “Përballë kësaj alternative e cila po ndryshon qartësisht jetën tonë, po ndryshon emrin tonë, po ndryshon qenien tonë. Përballë kësaj alternative që ka fituar një besim të jashtëzakonshëm jo vetëm politik, por që ka fituar një besim në mbarë botën për biznesin. Ju e patë, unë dje në Lezhë inaugurova fillimet e parkut energjetik, me vlerë 1.1 miliardë euro. Unë dhjetëditëshin e parë të qershorit, së bashku me ju, do të inaugurojmë fillimin e punimeve në kaskadën e Devollit për …, projekti më i madh në Evropë, me 1.2 miliardë euro në energji. Së bashku me ju do të inaugurojmë dhe po inaugurojmë rreth 5 miliardë euro investime në këtë vend, të cilat bëjnë që revolucioni ynë industrial, sado që i vonuar është, por të ecë me shpejtësi të madhe.”
Dhe përballë kësaj alternative, tha kryeministri, qëndron ajo e trillimeve dhe shpifjeve të një opozite që lufton për karrige.
Sali Berisha: Por ka një alternativë tjetër përballë saj, alternativa e nxirjes, alternativa e damkosjes, alternativa në të cilën në mënyrë absolute thuhet “Rroftë karrigia dhe poshtë Shqipëria”. Unë ju garantoj ju, ju them këtu ju se midis shpifjes dhe trillimit të vjedhjes së orës së George Bush nga qytetarët e Fushë- Krujës, që e pritën siç do të prisnin Skënderbeun po t’u shkonte, mitingut kobzi me datën 4 prill 2008, pas ftesës për në NATO, kërkesave të kancelarive të Evropës që të mos anëtarësonin Shqipërinë në NATO, pa përfunduar zgjedhjet qëndron një lidhje, një qëndrim ogurzi që është karrigia e tij…./”tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi