Në vijim të vizitës së tij në Sarandë, kryeministri Berisha ka përuruar fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës së bregut 73 km të gjatë. I shoqëruar nga ministrat Pango dhe Olldashi, shefi i qeverisë e ka cilësuar rrugën Qeparo-Sarandë, si një prej investimeve më të rëndësishme të infrastrukturës turistike në vend.
Sali Berisha: “Rruga e re që ne ndërtojmë, rruga që ndërtohet i jep bregut certifikatën evropiane që meriton. Kjo rrugë bën të mundur që bregu Jonian shqiptar të bëhet i famshëm, të bëhet i njohur në mbarë botën.”
Vizitën e tij në skajin më jugor të vendit, kryeministri e ka cilësuar si fillimin e një turi në të gjithë Shqipërinë, jo për të rivalizuar siç tha ai, turin “Dialog me Shqipërinë” të kreut të selisë rozë, Edi Rama, por për të takuar të gjithë shqiptarët.
Sali Berisha: “Unë nuk jam në fushatë elektorale këtu, unë jam në punë, ka pasur disa arsye që më kanë mbajtur disi të shkëputur nga terreni, por do ta qarkojë Shqipërinë pëllëmbë për pëllëmbë. Ju do të ndiqni këtë tur timin, i cili nuk do mund ndalet tani e tutje, se do të jetë një takim me qytetarin.”
Më pas Kryeministri Berisha ka pasur një takim dhe me banorë të Lukovës dhe me pushtetarët lokalë të zonës./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka