Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Koalicioni qeverisës për integrim është mbledhur në mesditë nga kryeministri Nano dhe numri 2 i Partisë Socialiste Ruçi, për të përcaktuar qëndrimin politik që do të mbahet në Kuvend, pro qeverisë dhe luftës së saj ndaj trafiqeve dhe krimit të organizuar. Është rënë dakord për ngritjen e komisionit hetimor mbi ngjarjet e Karaburunit, por nuk janë diskutuar emrat e aleatëve për postet e premtuara në qeveri.
Gramoz Ruçi:- “Besoj se s’kishim nge sot për të diskutuar për zëvendësministra”.
Vangjel Dule:- “Në lidhje me masat urgjente që duhet të marrë ekzekutivi, por edhe politika, me qëllim që të jetë rasti i fundit i tragjedive të përmasave të tilla, të katastrofës humanitare”.
Gazetarët:- “Si do të jetë vota juaj?
Vangjel Dule:- Në radhë të parë është debati dhe natyrisht vota do të jetë në mbështetje të qeverisë dhe në mbështetje të ashpërsimit maksimal të luftës së qeverisë ndaj fenomenit të krimit të organizuar”.
Paskal Milo:- “Fryma e diskutimit tonë do të jetë, që Shqipërisë i duhet stabilitet politik, i duhet shtet ligjor dhe qeverisje e qëndrueshme”.
Agrarët nuk morën pjesë në tryezën e koalicionit për integrim./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj