Pas 12 muajsh përfundon TEC-i i gjirit të Vlorës.

Gjergj Bojaxhi: “Në maj të 2009, dorëzohet me çelësa në dorë.”

Sali Berisha: “Ka qenë një premtim që mund të bënim dhe fillimisht ciklin e hapur dhe pastaj të kombinuar. Ku janë?”

Gjergj Bojaxhi: “Ai ka qenë premtimi i drejtuesit të mëparshëm .. nuk ekzekutohet më.”

Sali Berisha: “Ky ishte një premtim i drejtuesit të mëparshëm dhe ai e mori me vete premtimin. Unë nuk jam në fushatë elektorale, por unë shpresoj që shqiptarët që më besojnë mua, ta kenë të qartë se premtimet e mia të tjerët do t’i lënë rrugës.”

TEC-i prej 90 megavatesh i cili po ndërtohet në gjirin e pyllit të Sodës në Vlorës do të jetë vepra e vetme energjetike në qytetin bregdetar. Kryeministri gjatë një vizite në kantierin e punës paraditen e të premtes i është përgjigjur protestave të ambientalistëve me këtë deklaratë. Ndërsa iu ka premtuar banorëve të Vlorës se të gjitha veprat e tjera si rafineritë ashtu edhe TEC-et janë spostuar për t’u ndërtuar në Porto Romano.

Sali Berisha: “Të garantoj qytetarët e Vlorës se ky do të jetë objekti i vetëm energjetik që ndërtohet në këtë qytet. E gjithë emetimi i saj është i baras me 500 veturave Mercedes.”

Sipas kryeministrit Berisha pavarësisht kostos së madhe që do të ketë mbajtja në punë e këtij TEC-i për shkak të tendencës në rritje në tregun e karburanteve qeveria do të përmbushë premtimin e saj për furnizimin 24 orë më energji elektrike të popullatës.

Sali Berisha: “Çmimi më i lartë i energjisë elektrike, më i kushtueshëm është mungesa e saj.”

Gjatë ndalesës së tij në turin “Shqipëria në NATO” në qytetin bregdetar kryeministri ka prerë shirita inaugurimi për dy nënstacione elektrike në Babicë dhe në Vlorë. Vepra që kapin përkatësisht vlerën e 12 milion dhe 2.3 milion eurove, duke zgjidhur në këtë mënyrë sipas tij problemin e energjisë elektrike në të gjithë bregdetin jugor.

Kryeministri është ndalur dhe në qytezën e Orikumit, ku ka inauguruar përfundimin e rikonstruktimit të shëtitores dhe fillimin e punimeve për ujësjellësin e ri të Vlorës. Financim ky me një vlerë 26 milion euro i qeverisë holandeze.

Berisha ka prerë shirit inaugurimi dhe në komunën e Novoselës për përfundimin e argjinaturës së lumit Vjosë, që ka shkaktuar përmbytje të herë pas hershme në fshatrat përreth.

Turin e tij “Shqipëria në NATO” e ka mbyllur në teatrin Petro Marko në një takim me qytetarët vlonjat. Në fjalën e tij kreu i mazhroancës i bëri një përmbledhje reformave të ndërmarra nga qeveria. Reforma që sipas tij bënë të mundur marrjen e ftesës për në NATO.

Sali Berisha: Shqipëria  në NATO u përcaktua para të gjithash nga kursi i reformave të thella që ndërmori qeveria ime. Sot sërish ka korrupsion, por ama ndryshimi është jashtëzakonisht i madh.”

Berisha ka premtuar një seri investimesh për qytetin e Vlorës, projekte që do të bëjnë të mundur thithjen e numrit të madh turistësh të huaj./tvklan.al

Gazetare: Elia Zotka