Mbledhjen e fundit të kabinetit që drejtoi për katër vjet kryeministri Berisha e rezervoi për të falënderuar anëtaret e qeverisë për gjithçka u realizua. 2005-2009 shënoi bashkëpunimin më të frytshëm në koalicion dhe në një fjali të vetme kryeministri e përkufizoi kështu mandatin e parë qeverisës.

Sali Berisha: “Ky është një fund krenar. Sot ne mbyllim një mandat pasi kemi realizuar realisht shumë më tepër seç kemi imagjinuar 4 vite më parë.”

Kryeministri bëri një bilanc të shpejtë të arritjeve që shënuan sikurse tha ndryshimin më të madh për vendin. Por theksin kryetari i qeverisë e vendosi pikërisht në kryeobjektivin e mandatit tashmë të përfunduar.

Sali Berisha: “Kjo qeveri mund të marrë shumë vlerësime, por njëri prej tyre do mbetet monumentar, kampione reformat e saj për luftën kundër korrupsionit.”

Berisha tha se në katër vite vendi u bë tërheqës për investime të huaja, u shndërrua në superfuqi energjetike, u vendosen standarde të reja në klimën e biznesit, falë revolucionit fiskal u dyfishuan të ardhurat, u përmirësua ndjeshëm infrastruktura. Këtu kryeministri Berisha nuk harroi projektin më të madh në rrugë, korridorin e kombit.

Sali Berisha: “I cili mbetet dhe do mbetet vepra më madhore e punëve publike në historinë e këtij vendi. E vlerësuar si një nga punët publike më të mëdha në botë.”

Duke u ndalur në fushën e drejtësisë kryeministri tha se kjo fushë shënoi ndryshime të mëdha. Berisha tha se megjithëse në 2005 vendi ndodhej në prag të ndëshkimit ndërkombëtar mbi gjendjen e burgjeve, sot pas katër vitesh janë vendosur standarde të reja në këtë drejtim.

Sali Berisha: “Do mbetet gjithmonë ndryshimet kushtetuese një kontribut madhor në reformën institucionale të këtij vendi.”

Berisha u ndal dhe në politikën e jashtme e cila sikurse tha shënoi në katër vjet dimensione të reja.

Sali Berisha: “Ishin vitet në të cilat një problem madhor i kombit shqiptar, pavarësia e Kosovës, mori zgjidhjen më të shkëlqyer. Ishte politikë e suksesit të plotë, dëshmi e saj është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.”

Në analizën e tij kryeministri vlerësoi hapat e hedhur në çështje të integrimit Europian, duke kujtuar momente kulmore si nënshkrimin e MSA, apo aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE.

Sali Berisha: “Në vlerësimin e Shqipërisë potencialisht si një vend i mundshëm për të hequr vizat.”

Kryeministri foli për bujqësinë ku u investuan të paktën 1.6 miliard dollarë . Ky sektor siç tha Berisha shënoi përmirësim rrënjësor duke u shkëputur përfundimisht  nga prapambetja. Kryeministri vlerësoi edhe arritjet në fushën e turizmit ku vetëm gjatë vitit që lamë pas u shënuan të paktën 2.7 milion turistë.

Sali Berisha: “Dhe këtë vit me siguri mbi 3 milion. Nuk besoj se mund të kishte patur imagjinatë që të thoshte se Shqipëria në katër vite do të dhjetëfishonte krahasuar me vitin 2004 numrin e turistëve në vend.”

Berisha nuk harroi pagat dhe pensionet, që shënuan në katër vjet sikurse tha, ritme rekord rritjeje falë të cilave 400 mijë shqiptarë u nxorën nga varfëria.

Sali Berisha: “Është kjo qeveri e cili realizoi në 4 vite rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë kontinentin dhe në tërë botën. Nuk ka qeveri që të ketë rritur rrogat dhe pensionet me përqindjen që kemi rritur ne gjatë një mandati.”

Krahas analizës mbledhja  parashikonte dhe një sërë vendimesh për miratim. Këtu kryeministri veçoi vendimin në favor të bizneseve të huaja, po vendase që do ti shpëtojë këto të fundit njëherë e përgjithmonë nga ajo që Berisha e cilësoi spiralja e falsifikatorëve të dokumenteve të pronësisë.  Kryeministri solli raste të kërcënimit të kompanive si dhe kërkoi zgjidhje të menjëhershme për këtë çështje.

Sali Berisha: “Me dokumente fallco, me avoketër surrogat të pa përgjegjshëm nisin gjobat ndaj kompanisë. Në këtë kontekst kjo praktikë më në fund çdo investitor që blen tokë mbi bazën e dokumenteve të pa kontestuara origjinale shtetërore, do të bëjë i pa shqetësuar të gjithë investimin e tij…/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi