Vlora e katër viteve të ardhshme do të jetë turistike, industriale, por edhe bujqësore. Investimet në këto tre sektorë jetikë do të shumëfishohen. Kështu ka premtuar kryeministri Berisha gjate inaugurimit te nisjes se punimeve për rrugën Peshkëpi – Ure e Drashovicës, një investim me vlerë 87 milionë lekë të investuara nga buxheti i shtetit. 

Sali Berisha: “Qeveria e mandatuar është e vendosur që në këto katër vite të investojë në Vlorë më shumë se në 20 vitet e shkuara të marra sëbashku. Vlora këto katër vite Vlora do të njoh zhvillimet më të mëdha, parkun industrial dhe një prej porteve më gjigante në Mesdhe.”

Për kryeministrin, Vlora industriale do të sjellë punësim te qytetareve te saj, sikundër punësimi do të rritet në mbarë vendin nga investimet në sektorë të ndryshëm.

Sali Berisha: “Një nga drejtimet kryesore në këto katër vite do të jetë punësimi i qytetarëve shqiptarë. Vetëm në portin e Vlorës, kontrata për të cilin do të firmoset gjatë këtyre dy muajve që do të vijnë, si dhe në parkun industrial të saj, do të punësohen me dhjetëra e mijëra qytetarë të Vlorës dhe qytetarë shqiptarë.”

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në të gjitha zonat turistike brenda vitit 2010 u theksua serish nga kryeministri, si domosdoshmëri për t’i dhënë shtysë zhvillimit të turizmit.

 Sali Berisha: “Vlora turistike është një nga potencialet më të mëdha të këtij rrethi, por edhe të mbarë Shqipërisë. Me infrastrukturën e re rrugore, me ndërtimin e infrastrukturës në të gjithë zonën e bregdetit Jon, kushtet për turizmin bëhen gjithmonë më të lakmueshme e më të mira. Ne jemi të vendosur që brenda viti 2010 të kemi përfunduar tërësisht asfaltimin e të gjitha rrugëve, rrugicave të fshatrave në të gjithë zonën turistike. Jemi të vendosur të garantojmë furnizimin më ujë, të përmirësojmë ndjeshëm furnizimin me energji, pasi TEC-i i Vlorës e krijon tashmë një mundësi të madhe për të balancuar sistemin energjetik të vendit.”

Por investimet do te shumëfishohen jo vetëm për Vlorën industriale e atë turistike. Në fokus, sipas kryeministrit do të mbetet edhe bujqësia. E në këtë kontekst, shefi i ekzekutivit tha se në vëmendje të politikave të qeverisë do të jetë financimi i çdo projekti të paraqitur nga fermerët, e jo vetëm ato vlonjatë.”

Sali Berisha: “Ne mbetemi të vendosur të mbështesim fermerët e Vlorës, të financojmë çdo rrënjë ulli, çdo dru frutor apo vresht të mbjell prej tyre, sikundër do të reduktojmë akcizën për sipërfaqet e mbjella. Pensionet në fshat në krye të katër viteve do të jenë të barabarta me pensionet e qytetit. Ne mbetemi të vendosur në programin tonë për një zhvillim të qëndrueshëm të zonave rurale.”

Edhe në Vlorë, kryeministri tha se fitorja e zgjedhjeve të 28 qershorit do të festohet në të gjithë Shqipërinë me projekte dhe inaugurime të reja. Ai shprehu besimin se projektet për ta ndryshuar Shqipërinë do t’i japin kësaj mazhorance një tjetër mandat qeverisës edhe në vitin 2013./tvklan.al