Kryeministri Sali Berisha është ndalur në qytetin e Shkodrës në turin e tij “Shqipëria po ndryshon”, ku ka inauguruar përfundimin e disa veprave publike kryesisht në infrastrukturën rrugore si dhe ka bashkëbiseduar me qytetarë e studentë të universitetit Luigj Gurakuqi për çështje të ndryshme, por gjithashtu, në ndalesën në universitetin e kryeqendrës së veriut ai ka akuzuar edhe kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, për censurim të lirisë dhe medias.
Sali Berisha: “Harrojeni Edi Ramën si një politikan lakuriq që del plazheve të botës. Harrojeni Edi Ramën, harrojeni Edi Ramën si një njeri që dhunon kodin më të shenjtë të njeriut, kodin e vdekjes dhe bën mitingje për të shpallur të aksidentuarit. Harrojeni dhe faljani këto! Mos ia falni kurrë atë! Poshtë tirani! U ngrit pas 18 vitesh liri dhe numëronte votat e një, katër, shtatë, tetë për të mbajtur karrigen e tij. I dëgjoni të gjitha mediat kur të kritikojnë Sali Berishën sepse njeriu modern është njeri kritik dhe vetëm si i tillë duhet ta pranojë sepse mendimi ndryshe është lokomotivë. I dëgjoni dhe ato kur shajnë pa kulturë, por i fikni ato kur censurojnë sepse fikin vetë valën dhe ekranin. Ish-kryetari i tij për 15 vjet, i cili deklaroi se e mora me thonj të paprerë nga Parisi dhe e bëra ministër, dha një deklaratë se si tre nga mediat që i kontrollon, sesi tre nga mediat që kontrollon me leje ndërtimi, me sheshe ndërtimi, me lista deputetësh nuk guxuan të transmetojnë qoftë dhe një fjalë të vetme paçka se e dinë se ky vend ka 60 televizione dhe që s’mund të vendoset kurrë censura. Shikoni sa primitivë. Imagjinoni sikur ai të ketë pesë apo dhjetë në dorë, që të gjitha do t’i vendosë në censurë, do të përdhosë kulturën tonë të lirisë, vlerat e lirisë. Këto të dyja nuk do t’ia falni kurrë atij.”
I shoqëruar nga kryetarja e kuvendit,Topalli, dhe deputetë të tjerë të këtij qyteti kryeministri ka prerë shiritin e rrugës pedonale të qytetit “Kol Idromeno”, një investim i Ministrisë së Kulturës, ka inauguruar rrugën “Jeronim Derada” dhe monumentin e kulturës, “Truma e dugajve të reja”, investime në një vlerë totale prej 114 milionë lekësh.
Dhe ndërsa ka inauguruar Bankën Italiane të Zhvillimit kryeministri shigjetoi sërish Ramën, duke e quajtur si mbrojtës të dosjeve të komunizmit.
Sali Berisha: “Një hije të qarkullojë nëpër Shqipëri dhe kjo është hija e atij, i cili nuk ka alternativë tjetër vetëm shpalljen e të vdekurve nga aksidentet si të vrarë nga qeveria. Nuk ka alternativë tjetër veç mbrojtjes së dosjeve për të mbrojtur arkivën e tij të metë familjar.”
Shefi i ekzekutivit iu drejtua sërish Ramës, teksa inauguroi rrugën “Jeronim Derada”, kësaj radhe duke i bërë thirrje që në rolin e kryetarit të bashkisë së Tiranës të mos mbajë peng planin rregullues të kryeqytetit.
Sali Berisha: “Ky zotëria apo mister 15%-shi, apo mister korrupsioni siç po e quaj rëndom ka kapur, ka ngërthyer planin urbanistik të kryeqytetit të mbarë shqiptarëve. I kërkoj në mënyrën më të prerë të dorëzojë planin e përgjithshëm urbanistik të kryeqytetit. Plani i përgjithshëm urbanistik i kryeqytetit nuk është pronë, as plaçkë e tij dhe kompanive të tij, por është pronë e qytetarëve të Tiranës dhe e mbarë shqiptarëve.”
Arsimi ishte një prej çështjeve të rëndësishme të trajtuara nga kryeministri në takimin me studentët e Luigj Gurakuqit, ku në ligjëratën e tij dha garanci për investime thelbësore në këtë fushë.
Gjithashtu, në Shkodër, kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë pa vonesa për pajisjen me dokumentet e rinj të identifikimit dhe që në Qershor të votojnë të djathtën, duke përkrahur kështu alternativën e duhur për arritje të mëtejshme./tvklan.al