Në kulmin e debateve mbi ligjin e lustracionit kryeministri Berisha ka shprehur dhe një herë vullnetin e mazhorancës për ndarjen e Shqipërisë nga krimet e komunizmit duke e konsideruar këtë proces si të pakthyeshëm dhe jetik, por kreu i qeverisë ka sqaruar se gjithçka do të kryhet në përputhje me rregullat e shtetit ligjor.
Sali Berisha: “Për forcën politike që kryesoi ndarja e Shqipërisë me krimet kundër njerëzimit të kryera nga sistemi komunist është një proces i pandalshëm, është një proces i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Për t’u ndal, ky është proces i pandalshëm.”
Po kështu kryeministri Berisha e quajti të vonuar edhe projektligjin për ngritjen e institutit studimor për krimet e sistemit komunist.
Sali Berisha: “Është absolutisht i vonuar, por problemi është se akoma në këtë vend janë të pranishëm mendësitë e mbrojtjes së krimeve kundër njerëzimit dhe parimeve barbare të luftës së klasave. Ky institut do ketë edhe si nga qëllimet madhore, pikërisht krimin e një qëndrimi të drejtë dhe të ri që buron nga dokumente ndërkombëtare, të cilat i ka firmosur Shqipëria, siç është konventa e Gjenevës për dënimin e krimeve kundër njerëzimit, por që buron edhe nga një vendosmëri e shqiptarëve për të ecur së bashku në respekt të njëri-tjetrit, në harmoni, në tolerancë, në mirëkuptim, në paqe sociale”.
Këto deklarata kryeministri Berisha i bëri pasi vizitoi një ekspozitë me imazhe të Holokaustit në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Ligji për lustracionin pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të Partisë Socialiste.
Pak ditë më parë kryeparlamentarja Topalli i kërkoi këtij institucioni të mos pezullojë ligjin dhe të evitojë shqyrtimin e tij nga anëtarë të kësaj gjykate që kanë konflikt interesi me të./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi