Pak orë pas rezolutës së Parlamentit Evropian, që parashikon plotësimin e kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria për të nisur sa më parë procesin e liberalizimit të vizave, nuk ka munguar dhe deklarata e kreut të qeverisë.
Ky i fundit nga foltorja e parlamentit përshëndeti vendimin e Brukselit, duke e cilësuar atë si një mbështetje e plotë që Bashkimi Evropian jep për vendin tonë.
Për numrin një të ekzekutivit një tjetër sinjal pozitiv i Evropës në adresë të Shqipërisë ishte dhe ai i 27 vendeve anëtare për të mbështetur aplikimin për statusin e vendit kandidat, që sipas kryeministrit Berisha erdhi pas përmbushjes së standardeve ndërkombëtare në procesin elektoral të 28 Qershorit.
Sali Berisha: “Do të ndalem këtu vetëm në zhvillimet e 3 ditëve të fundit. Sot PE miratoi një rezolutë të cilën kërkon pas plotësimit të kushteve nga Shqipëria, heqja e vizave për shqiptarët të bëhet me urgjencë. I jep mbështetjen e plotë politike procesit të heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë. Dje këshilli i ambasadorëve të BE-së 27 ambasadorë vendosën që kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat, t’ia kalojnë për shqyrtim ditët e ardhshme të këshillit të ministrave të BE-së. Ditën e hënë drejtorët e bordit … votuan në unison se Shqipëria për suksesin e luftës kundër korrupsionit plotëson këtë shtyllë kryesore të përfitimit të … Këto pra janë 3 ditë të mëdha me tre zhvillime shumë të mëdha për çdo qytetar shqiptar për çdo familje shqiptare, për shoqërinë shqiptare në tërësi, për shqiptarët kudo që janë. Për qytetarët e këtij vendi në raport me BE-në nuk ka asgjë më të rëndësishme, nuk ka asgjë më jetike, nuk ka asgjë më të domosdoshme se sa lëvizja e lirë në kontinentin ku ata janë ndër banorët e parë në tërë historinë e tij.”
Duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë tek përmbushja e angazhimeve që rrjedhin për proceset integruese të Shqipërisë drejt BE-së, kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për realizimin e çdo reforme.
Nisma ligjore këto që sipas zotit Berisha s’do mund të pengohen nga kreu i opozitës Edi Rama.
Sali Berisha: “Të mendosh se në 20-vjetorin e murit të Berlinit nuk je i përgatitur të pranosh institucione legjitime është jashtëzakonisht e rëndë. Po unë prapë e ftoj, urdhëro zotëri ja ku janë karriget tuaja urdhëroni në parlament të krijojmë komision hetimor parlamentar. Të hetosh të gjitha pretendimet që ke për zgjedhjet, përzierjen e administratës, përzierjen e të burgosurve ke ti raste ndërhyrje, urdhëro t’i diskutojmë, të mbajmë qëndrim. Hajde të shohim bashkë financimet e forcave politike. Ka një listë rekomandimesh nga OSBE-ODIHR, urdhëro përgatit amendamentet t’i votojmë si i do ti. Po mos kërko kurrë që të bëjmë gjykatësin se atë nuk do ta bëjmë ndonjëherë kurrë, se kjo nuk pranohet për asnjë çmim. Zoti Rama mungesa e deputetëve tuaj në këtë parlament përbëjnë një lëndim për parlamentin, por të jesh i sigurte se në këtë bojkot që bën nuk do të mund të pengosh as edhe një proces të vetëm të integrimit të këtij vendi në BE, as të heqjes së vizave. Në moralin e demokracisë evropiane nuk është kurrë të viktimizohet një popull sepse do një individ.”
Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një kohë kur në adresë të opozitës vetëm një ditë më parë Brukseli lëshoi mesazhe të forta kundër bojkotit të parlamentit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro