Menjëherë pas shpalljes zyrtare të Barack Obamës si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i dërgoi atij një telegram urimi në emër të tij dhe qeverisë shqiptare duke i uruar suksese.
Urimi për presidentin e 44-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përcoll nga kryeministri Berisha edhe nga salla e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në kryeqytet ku nën kujdesin e tij u çel sezoni artistik.
Berisha u shpreh se më 20 Janar së bashku me ju u inaugurua si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ëndrra amerikane, ndryshimi i madh i vendit tuaj dhe mbarë botës, ndërsa shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sali Berisha: “Nga Shtëpia e Bardhë sot largohet një mik, të cilit ne i mbetemi për hir të mirënjohjes. Në Shtëpinë e Bardhë vjen një mik, të cilin ne shprehim vendosmërinë tonë për një bashkëpunim të gjithanshëm dhe të shkëlqyer në mbrojtje të vlerave të përbashkëta që ndajmë. Ne ecim përpara në programet e mëdha të kombit shqiptar”.
Mbrëmja koncertore e veçantë me orkestrën e harqeve “Virtuozët e Tiranës” ku merrnin pjesë instrumentistë shqiptarë që luajnë në orkestra të rëndësishme botërore jo vetëm që çelin stinën koncertore, por edhe vitin diplomatik.
Sali Berisha: “Këta sot hapin vitin e ri artistik, por njëkohësisht i bëjnë një homazh veprës së tyre për të cilën shqiptarët kanë respekt të madh. Sot këta janë artistë virtuozë. Ministria e Jashtme donte gjithashtu t’i jepte një konotacion tjetër këtij koncerti, atë të hapjes së vitit diplomatik. Ide e gjetur është. Nuk e refuzova për faktin se ju jeni ambasadorët më të mirë të këtij vendi”.
Në këtë ditë që përkoi edhe me inaugurimin e Barack Obamës si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës orkestra e harqeve “Virtuozët e Tiranës” nën dirigjimin e Zhani Cikos luajtën për të pranishmit pjesë nga Çajkovski, Rossini, Zadeja e të tjerë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami