Shqipëria nisi të martën negocimin për grupimin e parë të kapitujve me Bashkimin Europian duke u bërë vendi i parë kandidat që do të aplikojë metotologjinë e re të anëtarësimit. Kjo do të thotë se 35 kapitujt nuk do të negociohen veç e veç, por të grupuar sipas sektorëve që ndërlidhen me njëri-tjetrin. Po a konsiderohet ky një avantazh apo disavantazh për vendin tonë?

Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit, kryenegociatore me BE: Është shumë pozitive. Shqipëria e ka pranuar dhe po e zbaton. Mendojmë që i shërben përshpejtimit të procesit të negociatave.

Ministrja e Shtetit njëherësh kryenegociatorja me BE, në intervistën për Tv Klan jep një afat për të përmbyllur të gjithë planin e reformave të kërkuara.

Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit, kryenegociatore me BE: Shqipëria është teknikisht e gatshme për të progresuar me një çelje të një numri kapitujsht të tjerë që tani dhe po i konsolidon. Ne po i përshpejtojmë reformat kryesore përmes këtij plani reformash për të pasur rezultatet kryesore dhe më të rëndësishme edhe më herët, në vitin 2027. Por përsa i përket të gjithë kapitujve dhe kritereve Shqipëria e ka bërë planin që të përmbushë kriteret për anëtarësim deri në vitin 2030.

Paralelisht me procesin e negocimit, BE ju ka dhënë mundësi vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga fondet e Brukselit përmes Planit të Rritjes. Kryenegociatorja Dhuka zbulon dhe pjesën që do përfitojë Shqipëria prej planit prej 6 miliardë Eurosh dhe ku do të investohen këto para.

Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit, kryenegociatore me BE: Nga vlerësimet paraprake pritet që Shqipëria të përfitojë së paku 922.1 milionë Euro nga të cilat një pjesë janë grant dhe një pjesë janë kredi zhvillimore me kushte të favorshme për Shqipërinë. Kushtëzimi i përfitimit të këtyre fondeve është hartimi i një axhende kombëtare reformash, format ekonomike dhe të klimës së biznesit, punësimi dhe aftësitë dhe reformat e lidhura me shtetin e së drejtës me sistemin e drejtësisë, sidomos konsolidimi dhe pakthyeshmëria e reformës në drejtësi.

Një kriter i rëndësishëm përveç atij ekonomik që Shqipëria do duhet të përmbushë është dhe kriteri politik. Edhe pse pamjet që ofroi Parlamenti dje nuk janë shumë shpresëdhënëse mendon që do të punojnë së bashku me opozitën për të plotësuar dëshirën e 95 përqind të shqiptarëve që e duan BE.

Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit, kryenegociatore me BE: Një pjesë e madhe e vendimeve të rëndësishem në lidhje me reformat e vendit janë marrë me vendime të përbashkëta, kështu që unë besoj që edhe pozita edhe opozita do të punojnë përsëri bashkë kur vjen fjala për vendime të rëndësishme për ta çuar vendin në familjen europiane.

Tv Klan