Polemikat nuk shuhen as pas ceremonisë së “Topit të Artë”. Real Madrid bojkotoi dhënien e çmimeve, pasi mësuan se Vinicius Junior nuk do të ishte fituesi dhe ndihen të vjedhur.

Në lidhje me këtë, së fundmi ka folur edhe kryeredaktori i “France Football”, Vincent Garcia, i cili zbuloi arsyen përse ia doli të triumfojë Rodri dhe jo Vinicius.

“Prania e Bellingham dhe Carvajal në pesëshen e parë, e dëmtoi Vinicius-in. Matemtatikisht ata i hoqën disa pikë brazilianit në votim. Kjo tregon për sezonin e Real Madrid, që solli tre lojtarë në finale, por kjo bëri që votuesit t’i ndanin pikët, diçka që ishte në favor të Rodri-t”, tha ai.

Garcia ndër të tjera tha se presioni nga ana e Real Madrid ka qenë i madh dhe është kërkuar ndryshimi i rregullave.  

“Real Madrid ka bërë shumë presion ndaj meje. Megjithatë, siç ka ndodhur gjithmonë, unë kam qenë i qartë dhe i drejtë. Ndoshta heshtja ime, nuk iu ka bërë mirë. Kam qenë i zhgënjyer, nuk e di përse kërkohej ndryshimi i rregullave”, deklaroi Garcia. /tvklan.al