Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dalë sërish në një konferencë për shtyp për të përsëritur atë që deklaron tashmë çdo ditë që prej përfundimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit se nuk do të njohë rezultatet e këtyre zgjedhjeve nëse nuk bëhet transparenca sipas tij.

Rama ka vijuar të kërkojë rinumërimin e votave të qarkut të Tiranës, Beratit dhe Shkodrës në një kohë që rezultatet e votimit për to janë certifikuar vetëm pasi janë numëruar dhe më pas firmosur tabelat përmbyllëse nga vetë komisionerët e partisë të zotit Rama, komisionerët socialistë.

Procesi i numërimit të votave është vëzhguar në vëzhgues të OSBE-ODHIR-it, ndërkohë që ky proces gjatë gjithë kohës ka qenë i monitoruar online nga kamerat e vendosura në çdo komision zonal të administrimit të zgjedhjeve.

Edi Rama: “Ne do ta pranojmë rezultatin vetëm në qoftë se do të pranohet e drejta jonë ligjore për të bërë transparencën e kutive të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës, por pa asnjë dyshim ne nuk do të ndalemi edhe më pas në kërkimin e transparencës së plotë për një proces zgjedhor që kemi të gjitha arsyet dhe faktet për ta konsideruar jo vetëm jashtë të gjitha standardeve demokratike dhe evropiane, por dhe të deformuar në themelin e tij përmes mekanizmash që duhen hetuar duke nxjerrë nga kutitë të gjithë dokumentacionin që ato kanë. Këtë të drejtë nuk e ka KQZ-ja, nuk e ka kolegji zgjedhor, por padyshim e ka parlamenti dhe organet kushtetuese të hetimit ku ne do të depozitojmë pas daljes së rezultatit përfundimtar edhe kallëzimin tone penal”.

Duke e cilësuar si të turpshme deklaratën e Berishës në një kohë që sipas tij rezultatet e zgjedhjeve nuk janë certifikuar Rama ka kundërshtuar me forcë një bashkëpunim me qeverinë Berisha-Meta nëse rezultati i zgjedhjeve, tha ai, nuk lexohet ashtu siç është.

Rama ka sulmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që sipas tij është krejtësisht i politizuar dhe shprehu mosbesim në lidhje me punën e kolegjit zgjedhor, i cili javën e ardhshme do të nisë shqyrtimin e ankimimeve të partive politike në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve në disa qarqe të vendit.

Edi Rama: “Sali Berisha duhet ta harrojë çdo bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste nesër, në qoftë se sot do të qëndrojë në atë karrige me mandate të grabitura përmes uzurpimit të KQZ-së dhe trysnisë ilegale mbi kolegjin zgjedhor. Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për të dhe për nusen e tij të re”.

Rama nuk ka pranuar të bëjë komente të drejtpërdrejta në lidhje me zërat brenda partisë si Blushi dhe Malaj, të cilët kanë kërkuar që kryetari të pranojë humbjen dhe do të dorëhiqet nga drejtimi i partisë, megjithatë interesimit të gazetarëve ne lidhje me këtë çështje Rama iu përgjigj:

Edi Rama: “Unë jam kryetari i Partisë Socialiste, e cila nga zgjedhjet e 28 Qershorit doli forca më e madhe në vend dhe unë i kam të qarta detyrimet dhe radhët e punës sime. Sot detyrimi dhe radha e punës kërkon që unë dhe PS të jemi në këtë pozicion. Të tjerët mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet”./tvklan.al