Opozita po ndeshet me një presion në rritje ndërkombëtar, që gjykon se debati zhvillohet në kuvend dhe jo jashtë dyerve të tij.

Për ta shprehur më mirë këtë, Kryetari i Senatit të Kanadez, Noel Kinsela, është ndalur pikërisht tek kuptimi në frëngjisht i fjalës parlament.

Noel Kinsela: “ Ne përdorim fjalën parlament e cila vjen nga gjuha frënge që do të thotë “me fol”. Një nga kushtet për të folur është prania në Parlament. Si Kryetar parlamenti unë inkurajoj të gjithë anëtarët e tij të vinë dhe të flasin në Parlament”.

Mazhoranca nga ana tjetër duket e vendosur t’i mbahet qëndrimit për të respektuar kushtetutën në raport me kushtet e vëna nga opozita, një qëndrim që duket do të funksionoje dhe në rastin e projektligjit që do të ofrojë Partia Socialiste për hapjen e kutive të votimit si një iniciativë e mbështetur nga 20 mijë firma qytetarësh.

Jozefina Topalli: “Pres që opozita në vijë në Parlament, pres që deputetët e zgjedhur nga shqiptarët, që i kanë ngarkuar detyrën e rëndësishme, që të bëjnë misionin  e opozitarit të jenë të pranishëm në Parlament. Ata do të kenë të gjitha hapësirat që i njeh kushtetuta dhe ligji dhe gjithë fleksibilitetin e Kryetarit të Parlamentit për t’i respektuar në detyrën e tyre. Padyshim çdo iniciativë kushtetuese do të shqyrtohet në parlament. Po unë do mendoja që edhe atje kishte rrugët. Ju e dini që në bazë të kushtetutës dhe të ligjit nuk ka nevojë që t’i lodhin fare shqiptarët. Mjafton iniciativa e një deputetit për tu shqyrtuar në Parlament. Rrugët kushtetuese, rrugët ligjore respektohen dhe shqyrtohen në Parlament.”

I ftuar nga kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i senatit kanadez u be bashkëfirmëtar i memorandumit të mirëkuptimit që synon të nxisë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve duke vënë në funksion të saj portet respektiv.

Kryeparlamentarja Topalli e cilësoi me mjaft rendësi faktin qe Kanadaja ka fokusuar Shqipërinë për investime në të gjithë sektorët.

Një deklaratë që u konfirmua menjëherë më pas dhe kryetari i senatit kanadez kur tha se është gjithnjë në rritje interesi i biznesit kanadez për të investuar në vendin tonë.

Çështje të bashkëpunimit dypalësh sidomos në fushën ekonomike u diskutuan edhe në takimet që kryetari i senatit kanadez, Noel Kinsela, zhvilloi me kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Bamir Topi./tvklan.al