Nuk pat shumë karrige për të pritur të gjithë mysafirët në sallën e kuqe.
Të gjithë i mblodhi në një vend lideri i ndjerë i paqes, Ibrahim Rugova. Ministra të qeverisë në krye me shefin Hashim Thaçi u bashkuan me anëtarët e vjetër e të rinj të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ambasadorë e personalitete të tjera.
Për Rugovën foli presidenti Fatmir Sejdiu duke e quajtur atë ikonë të kombit.
Fatmir Sejdiu: “Rugovën e bënte të veçantë urtësia e tij e paimagjinueshme, e cila u proklamua dhe u zbatua në jetë si doktrinë nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
E çmimin e themeluar në emër të tij, medaljen e artë për paqe, demokraci dhe humanizëm doktor Ibrahim Rugova iu nda Vaskllav Havellit.
Në emër të ish presidentit çek nderimin e mori ambasadorja e këtij vendi Janina Hrebickova, e cila lexoi edhe letrën e dërguar nga Havelli.
Janina Hrebickova: “Ai ishte partner në të cilin shtetet perëndimore i kishin vënë shpresat e tyre për një bashkëjetesë paqësore dhe një zhvillim demokratik për mbarë rajonin.”
Krejt në fund radha ishte për orekstrën simfonike të filarmonisë së Kosovës. Ku ka më mirë se të pushosh pak nën këta tinguj./tvklan.al