Merkato e verës solli ndryshime skuadre për shumë futbollistë të kombëtares shqiptare. Kuqezinjtë gjetën tjetër ambient për të pasur më shumë hapësira dhe për të qenë sërish në qendër të projektit të trajnerit Sylvinho në të ardhmen. Por, ka nga ata që ende janë pa kontratë dhe të lirë për të firmosur me secilin klub që do përpilojë ofertën. Ai që tërheq më shumë vëmendjen është portieri Etrit Berisha.
Në moshën 34-vjeçare tashmë, ‘gardiani’ nuk ka një marrëveshje aktive. Për Berishën, i cili mbeti jashtë planeve të stafit teknik në kampionatin Europian ka interes nga skuadra italiane dhe jo vetëm. Pistë më konkrete shihet ajo e kthimit në Suedi te Kalmar, ku hodhi edhe hapat e parë të karrierës.
Në kërkim të një skuadre gjendet edhe Elseid Hysaj. I përjashtuar nga lista e të federuarve të Lazios, kapiteni kuqezi synon të firmos me një tjetër skuadër. Mbetet ende në dyshim mënyra e largimit, pasi mund të prish me konsensus kontratën me kryeqytetasit, por edhe të pres muajin janar për t’u transferuar te një skuadër e re.
Klan News