Libri i Loredanës, “Kur zemra ime u thye” ka dalë sot nëpër librari. Në autobiografi, këngëtarja shqiptare ka rrëfyer disa nga momentet më të forta siç ishte ndarja me Mozzik.

20 minuten ka evidentuar disa prej pikave më kulminante të librit.

Martesa me Mozzik

Në fillim, ajo flet për martesën dhe lidhjen e fortë me reperin. Ajo ndante gjithçka me të dhe ishte njeriu më i rëndësishëm ku ajo mbështetej.

“Po, madje edhe t’i tregoja thashethemet më të fundit, ta pyesja si t’i bëja flokët apo cila veshje  i pëlqente më shumë për të dalë”. Asokohe ajo as nuk e imagjinonte që martesa mund të merrte fund dhe e quan Mozzik “burrin e ëndrrave të saj”.

Ndarja nga Mozzik

Pas 4 vitesh bashkë, çifti u nda me mirëkuptim. Hana kishte ardhur në jetë. “Ishte e tmerrshme. Herën e parë që isha larg tij për një kohë të gjatë, ishin ditët më të këqija të jetës sime”, kujton 29-vjeçarja. “Humba shumë peshë gjatë asaj kohe. 173 centimetra e gjatë dhe peshoja vetëm 43 kilogramë”. Loredana rrëfen se konsumonte vetëm pije energjike dhe cigare.

Reperja ra thellë e më thellë në depresion. “E kisha të vështirë edhe të bëja dush. Pa Hanën, ndoshta as nuk do t’ia kisha dalë. Nuk kujdesesha më për veten dhe vetëm e shkatërroja çdo ditë e më shumë”.

Loredana hezitonte t’i tregonte familjes për ndarjen pasi nuk përputhej me kulturën e tyre. “Nëna ime s’e mësoi për një kohë të gjatë. Ishte e tmerrshme, por s’mund t’ia thosha menjëherë. E dija se do t’i thërrmohej  zemra në mijëra copa nëse do t’ia thosha”.

Ajo e mbajti për vete edhe për shkak të motrave e vëllezërve. “Duhet të dini që nëna ime ka 10 fëmijë. Çmenduri, e di, unë kam 9 vëllezër e motra. Nga këta 10 fëmijë, unë jam më e vogla. Asnjë prej motrave e vëllezërve të martuar s’është ndarë”. Nëna e Loredanës e mësoi për ndarjen nga lajmet në media.

Babai i saj ndërroi jetë pesë vite më parë, pak pas ndarjes. Në libër ajo shprehet me fjalë të ndjera për të dhe shkruan se do një partner si babai i saj. Ajo mohon se ka “probleme të  lidhura me babain”.

Loredana sqaron që edhe pse ata janë të ndarë prej 5 vitesh tashmë, divorci është finalizuar së fundmi.

Lidhja me Karim Adeyemi

Loredana ndodhet prej tre vitesh në një lidhje me futbollistin 22-vjeçar. “Nuk dua të jap detaje për jetën time private tani, nuk dua të llomotis sesa e përsosur është çdo gjë, sa shumë e duam njëri-tjetrin, sa i bukur është çdo moment, sado i parëndësishëm, por mund t’ju them se ndihem sikur po dashuroj si kurrë më parë”.

Sekreti i kësaj lidhjeje është që të dy përpiqen çdo ditë, “njësoj si ditën e parë”. Respekti i ndërsjellë është gjithashtu kyç.

Megjithatë, asaj iu desh ca kohë që të pranonte se kishte rënë sërish në dashuri. “Mbi të gjitha, ai është  më i vogël se unë kështu që kjo s’është ‘normale’ në shoqërinë tonë. Në fillim s’e mendoja dot që një person me më pak përvojë jetësore se unë do të më kuptonte më mirë se kushdo tjetër në botë. Por ai më kupton”./tvklan.al