“Pikërisht në këtë vend, vetëm pak metra larg banesës së tij, u gjet pa shenja jete mëngjesin e së hënës, 81-vjeçari Xhemal Meta. Viktima u konstatua nga nipi i tij, i cili njoftoi Policinë e Tiranës, që pas ekspertizës konstatoi se 81-vjeçari ishte goditur me sende te forta pas koke”, raporton gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.
Për ngjarjen në fshatin Shëngjin i Vogël në njësinë administrative Zall Bastar, policia ka shoqëruar autorin e dyshuar të vrasjes së 81-vjeçarit, Meta që shihni dhe në këtë foto. Bëhet fjalë për shtetasin me incialet I.H.
Dyshimet e policisë dhe prokurorisë janë se autori fillimisht ka shkuar për t’i vjedhur paratë e më pas e ka goditur me sende të forta duke e lënë të vdekur në gardhin e jashtëm të banesës.
Viktima prej kohësh jetonte vetëm, ndërsa dy djemtë e tij banonin në kryeqytet.
Në deklarimet e tyre, fëmijët e viktimës i thanë policisë se babai i tyre 81-vjeçar kishte fituar para kohët e fundit nga shitja e disa bagëtive, por që policia nuk ia gjeti viktimës në banesë. Mbi këto të dhëna hetuesit kryen verifikime nga ku rezultoi se Xhemal Meta ishte e vrarë e më pas i janë marrë paratë që kishte në banesë.
Tv Klan