Mësimi online edhe këtë vit ka bërë që maturantët të jenë të paqartë për mënyrën se si do të jenë të strukturuara testet e maturës. Kjo ishte çështja që u ngrit nga nxënësit këtë të enjte gjatë një inerpelance me ministren e Arsimit, Evis Kushi.
Kushi tha se nga ekspertët është vendosur që si çdo vit testi i maturës shtetërore të jetë i strukturuar me pyetje me alternativa dhe me zhvillim. Ajo theksoi se testi do të ketë 3 nivele vështirësie ndërsa në fund janë 4 provime për t’u kryer, 3 me detyrim dhe 1 me zgjedhje.
“Nga ekspertët është vendosur që këtë vit në provimet e maturës një pjesë e pyetjes të jenë të strukturuara me alternativa dhe një pjesë e tyre të jenë me zhvillim. Ju e dini që në total testi përmban 60 pikë dhe nga këto 60 pikë 20 i takojnë pyetjeve me alternativa dhe 40 i takojnë pyetjeve me zhvillim. Do të ketë gjithsej 3 nivele vështirësie. Niveli i parë, niveli më i ulët i vështirësi që do të jetë në 40% të testit po kështu niveli i dytë përmban dhe ai 40% të testit, ndërkohë që niveli i tretë më i vështirë do të ketë vetëm 20% të pikëve totale të testit. Janë gjithsej 4 provime. 3 do të jenë provime të detyrueshme dhe janë konkretisht gjuha shqipe dhe letërsia, matematika dhe gjuha e huaj ndërkohë që vetëm një provim do të jetë me zgjedhje. Provimet e detyruara do të mbështeten në kurrikulën bërthamë ndërkohë që provimet me zgjedhje do të mbështeten edhe në kurrikulën bërthamë dhe atë me zgjedhje”, tha Kushi.
Kushi u shpreh se do të punohet që rezultatet e maturës të shpallen para datës 30 Qershor. Ata që do të duan të studiojnë jashtë shtetit do ta kenë diplomën më 5 Korrik, ndërsa si afat për pjesën tjetër vendosi 15 Korrikun.
“Për këtë arsye ne do ti angazhojmë maksimalisht të gjitha stafet tona që diplomat e maturës të shpallen brenda datës 30 Qershor. Ata maturantë që kanë dëshirë të studiojnë jashtë vendit diplomat do të lëshohen më 5 Korrik dhe për gjithë të tjerët data 15 Korrik. Data 15 korrik është data finale që të gjithë maturantët do të marrin diplomat e tyre. Ata që pretendojnë që të studiojnë jashtë shtetit brenda datës 5 Korrik do t’i kenë në duart e tyre”, tha Kushi./tvklan.al