Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump duket i vendosur për të çuar përpara projektin 1 miliard dollarësh në ishullin e Sazanit.
Revista e njohur amerikane “Bloomberg” i ka kushtuar një tjetër shkrim të gjatë projektit që parashikon ngritjen e hoteleve dhe apartamenteve luksoze në ishullin e shkretë.
Në një intervistë për revistën amerikane Kushner thotë se Sazani tërhoqi që gjatë një vizite në 2021-in.
“U intrigova. Mundësia erdhi një vit më vonë. Jam rikthyer atje disa herë për të kontrolluar gjërat dhe të sigurohesha se jam komfort. Gëzohem gjithnjë e më shumë për potencialin që ka aty”, tha Kushner.
Projekti i Sazanit është duke u shqyrtuar nga qeveria shqiptare dhe pritet që fillimisht të shprehet Agjencia e Investimeve.
“Çdo investitor serioz, sidomos nga vendet aleate të Shqipërisë, si SHBA-ja, ka një derë të hapur për të kontribuar në rritjen e cilësisë së turizmit, një sektor jetësor për ekonominë e vendit”, tha Ministrja Kumbaro.
Bloomberg shkruan se kompania e Kushner po shikon mundësinë edhe për një investim tjetër në zonën e Zvërnecit, por për këtë nuk ka ende asnjë aplikim pasi kjo është një zonë e mbrojtur.
Kushner u përgjigjet edhe ambientalistëve se projekti i tij do të respektojë të gjitha standardet mjedisore për të ruajtur vijën bregdetare ndërsa kryeministri Rama citohet se kritikët “gënjejnë veten” sepse zona nuk ka qenë ndonjëherë e mbrojtur “përveç se nga ushtarët e Enver Hoxhës”.
Hoteli do të operohet nga marka ekskluzive Aman, klientët e të cilit përfshijnë Mark Zuckerberg, Bill Gates dhe Kardashians.
Tv Klan