Kuvendi miratoi në parim projektligjin për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2009. Bëhet fjalë për një rritje të shpenzimeve me rreth 17 miliard lekë, të cilat do të përdoren kryesisht për infrastrukturën si dhe kompensimin e pronareve apo ish të burgosurve politike. Ministri i Financave, Bode theksoi pikërisht faktin se ky buxhet suplementar vjen në një kohë ku shumë vende vazhdojnë të përjetojnë krizën ekonomike. Bode listoi arsyet e këtij zhvillimi pozitiv në ekonominë shqiptare ku më kryesori është menaxhimi i kujdesshëm i të ardhurave nga privatizimet.
Ridvan Bode: “Ne mundësojmë këtë rritje ekonomike sepse ne patëm sukses që edhe në këtë vit krize në tregun rajonal, në tregun europian të mund të financojmë investimet tona përmes një kredie sindikal nga banka ndërkombëtare për një vlerë prej 200 milion eurosh, ne mundëm të balancojmë përmes kësaj politike aktive të financave publike atë fakt që vjen nga rënia e remitancave, nga rënia në vlerë të vogël e .. të eksporteve nga disballancimi i bilancit të pagesave të vendit injektuam shtesë në ekonomi rreth 500 milion euro dhe ne jemi të sigurt se rritja ekonomike gjatë vitit 2009 në Shqipëri do të jetë në rreth 5% dhe do të jetë rritja më e madhe ekonomike në të gjithë kontinentin europian dhe më gjerë”.
Ministri i Transporteve Olldashi, tha se këto para janë një frymëmarrje për investimet.
Sokol Olldashi: “Në këto moment që flasim jemi në një realizim faktik prej mbi 100% të planit vjetor të investimeve në sektorin rrugor, pra të … nga buxheti duke shtuar me 40 miliard buxhetin e MPPTT, i japim në mënyrë të tërthortë një ndihmë shumë të rëndësishme sektorit të ndërtimit .. duke qenë një nga sektorët më produktiv dhe më influent në rritjen ekonomike të vendit”.
Pak përpara votimit Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, shprehu keqardhje mbi mungesën e opozitës nq salleq. Duke e cilësuar të pajustifikuar bojkotin, kryeparlamentarja solli dhe një herë në vëmendje raportin e këshillit të europes për Shqipërinë.
Jozefina Topalli: “Më lejoni të shpreh dhe njëherë keqardhjen dhe pa justifikushmërinë e mungesës së opozitës në këtë ditë të jashtëzakonisht të rëndësishme. Përshëndes raportin e Këshillit të Europës mbi zgjedhjet. Një raport objektiv realist, shumë pozitiv i cili ndoshta dhe më shumë sesa raportet e mëparshme thekson se zgjedhjet ishin një progres i qenësishëm. Shfrytëzoj rastin dhe njëherë për të ftuar opozitën, për të ardh këtu në detyrën e tyre, në karriget e tyre, për të bërë një opozitë të fortë, për të bërë nju opozitë konstruktive”.
Shtesa në buxhet mori 72 vota pro dhe një kundër. Në fillim të javës që vjen projektligji do të shqyrtohet nen për nen e do të miratohet më pas në tërësi./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi