Kuvendi vijon procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Këtë të mërkurë, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare vendosi të fusë në rend të ditës raportin e Komisionit të Ligjeve që arriti në përfundimin se kreu i shtetit shkeli Kushtetutën me anulimin e 30 Qershorit si datë të zgjedhjeve.
“E rëndësishme është që jemi në zbatim të përpiktë të afateve kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit për të çuar më tej këtë kërkesë, e cila sa më shumë ditë kalojnë, aq më kuptimplotë bëhet bazueshmëria e nevojës për të liruar sa më shpejtë zyrën e Presidentit të Republikës”
Por a kanë nisur të mendojnë socialistët për emrin e një presidenti të ri?
“Patjetër që ju gazetarët keni nevojë të dini më shumë. Sot e rëndësishme është që ju të merrni lajmin që, Kuvendi vijon procedurën normale dhe më shumë se kaq, dua t’ju them se sapo kemi rifilluar punën intensive parlamentare të Kuvendit”.
Rudina Hajdari, kryetare e grupit demokrat, kërkoi që procedurat të shtyheshin deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Nga ana procedurale nuk e ndaloj dot, por nuk kemi pse nxitohemi. Nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të vërtetohet kur të kemi Kushtetuesen”.
Kërkesa e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës u shqyrtua nga Komisioni i Ligjeve që e gjeti aktin e kreut të shtetit për anulimin e datës së zgjedhjeve në Kundërshtim me Kushtetutën. Raporti i Komisionit pritet të diskutohet në seancën e posaçme plenare të së hënës pasdite ku edhe do të ngrihet Komisioni hetimor për këtë çështje. Raporti i Komisionit kërkon 94 vota për t’u miratuar në Kuvend dhe certifikimin përfundimtar e bën Gjykata Kushtetuese.
Tv Klan